E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama cakton një skuadër elitë për hetimin e të dyshuarve për terrorizëm

Presidenti amerikan, Barak
Obama, ka bërë dje një
nga hapat më të dukshëm
në përpjekjen e tij për të braktisur
politikat e ndjekura nga
administrata e paraardhësit të tij,
Bush, veçanërisht për sa i përket
politikave të marrjes në pyetje të
të dyshuarve për terrorizëm. Ai
ka miratuar krijimin e një skuadre
të re elitë që do të merret me
marrjen në pyetje të të dyshuarve
për terrorizëm. Po dje, Prokurori
i Përgjithshëm po shqyrton
kërkesën e Departamentit të Drejtësisë
për rihapjen e çështjeve
të abuzimit me të burgosurit e
dyshuar për terrorizëm. Këto
zhvillime kanë ndodhur në prag
të publikimit nga ana e Departamentit
të Drejtësisë të raportit
të shumëpritur të inspektorit të
përgjithshëm të CIA-s, që do të
ofrojë shumë detaje të reja në
lidhje me abuzimet e nëpunësve
të CIA-s ndaj të burgosurve. Vetë
Prokurori i Përgjithshëm, Holder,
pritet të marrë shumë shpejt një
vendim në lidhje me caktimin
e një prokurori të përgjithshëm
që do të hetojë abuzimet, mes
të cilave janë edhe kërcënimet
për ekzekutim që u janë bërë të
dyshuarve për terrorizëm. Për sa
i përket skuadrës së re elitë, ajo
do të ndodhet në zyrat qendrore
të FBI-së në Uashington dhe do
të operojë nën mbikëqyrjen e
Shtëpisë së Bardhë. Skuadra e re
do të përbëhet nga ekspertë të
agjencive të ndryshme inteligjente
dhe ligjore. CIA duket se e ka
pritur një lëvizje të tillë, duke
qenë se nuk është më e interesuar
në çështjet e arrestimeve të të
dyshuarve për terrorizëm. Për sa
i përket Obamës ai, gjatë gjithë
periudhës së fushatës zgjedhore,
premtoi se ishte kundër politikave
të Bushit për marrjen në
pyetje të të dyshuarve për terrorizëm.
Së fundi ai është shprehur
se nuk është në favor të hapjes
së çështjeve penale ndaj nëpunësve
të administratës "Bush"
në lidhje me çështjet e abuzimit
të të burgosurve, duke deklaruar
se preferon të shohë drejt së
ardhmes dhe jo së shkuarës, por
Prokurori i Përgjithshëm, Eric
Holder, po e konsideron seriozisht
marrjen e një hetimi ndaj
atyre që dyshohen për keqtrajtim
të të burgosurve. Hapja e hetimeve
për abuzimin e të burgosurve
mund të çojë disa nëpunës të
CIA-s dhe agjenci të kontraktuara
në bankën e të akuzuarve për
keqtrajtim të të dyshuarve për
terrorizëm, një vit pas ngjarjeve
të 11 shtatorit të vitit 2001. Vetë
Prokurori i Përgjithshëm, Holder,
ka reaguar me neveri kur ka
lexuar për herë të parë materialet
për abuzimet që i janë bërë të
burgosurve. Kjo është arsyeja që
Holder është treguar shumë më
këmbëngulës në hetimin e personave
të tillë se vetë Presidenti
amerikan, i cili këto kohë e ka
përqendruar të gjithë vëmendjen
e tij në miratimin e ligjit të ri për
sistemin shëndetësor. Pas zhvillimeve
të djeshme, ligjvënësve
u duhet që të përqendrohen
edhe te debatet në lidhje me
mënyrat e marrjes në pyetje të
të dyshuarve për terrorizëm.
Ndërkohë zyrtarët e administratës
"Bush", përfshi edhe vetë
zëvendëspresidentin, Dik Çeni,
kanë deklaruar se tortura nuk
është përdorur kurrë dhe se praktikat
e marrjeve në pyetje kanë
qenë konform ligjeve. Ndërkohë
shefi i CIA-s, Leon Paneta, bëri të
ditur në një gazetë të përditshme
amerikane, disa kohë më parë se
"CIA i ka ndërprerë dërgimet e të
dyshuarve në burgje sekrete dhe
nuk operon më as me metoda të
dyshimta hetimi. E, megjithatë,
agjencia që drejtoj vazhdon që të
paguajë një çmim për zbatimin
e disa politikave që tashmë nuk
ekzistojnë më".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›