E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po” sugjerimeve të Dhomës së Avokatisë për licencimin

17/12/2008  Komisioni i Ligjeve diskuton projektin e qeverisë për profesionin e Avokatit

Komisioni i Ligjeve pranoi dje propozimet e Avokaturës së Shtetit lidhur me ndryshimet që ka propozuar qeveria për ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë mënyrë, pas kontestimeve edhe nga anëtarët e tij komision ra dakord të shfuqizojë shtesën e propozuar nga Ministria e Drejtësisë për përcaktimin prej saj të tarifës së licencës për ushtrimin e profesionit të avokatit. Në këtë mënyrë, ministria do të rishikojë këtë pikë të projektit duke pasur në konsideratë propozimin e Dhomës së Avokatisë, sipas së cilës licencimi do bëhet prej saj, sikurse do të përcaktohen edhe tarifat e licencimit. Komisioni zhvilloi dje me përfaqësues të Dhomës së Avokatisë një seancë dëgjimore për projektin në fjalë. Komisioni gjatë shqyrtimit nen për nen të draftit miratoi gjithashtu të drejtën e palës ankuese për të ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin e Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Por ai hoqi nga projekti ndërhyrjen e ministrit të Drejtësisë për të paraqitur në Gjykatën e Apelit të Tiranës kërkesën për marrjen e masës disiplinore ndaj një avokati në rast mosveprimi të Dhomës Kombëtare të Avokatisë brenda afateve ligjore. Projekti i qeverisë ndër të tjera parashikon se avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor kur ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e avokatit dhe me legjislacionin tatimor; në kundërshtim me rregullat e parashikuara në Kodin e Etikës së Avokatit dhe me rregullat e tjera të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe dhomat e avokatisë. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit ndaj një avokati, pasi bën verifikimet e nevojshme, dëgjon pretendimet e palëve dhe, sipas rastit, vendos fillimin e procedimit disiplinor kundër avokatit, ose refuzimin e fillimit të procedimit. Masat disiplinore jepen brenda 3 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 5 vjet nga çasti i kryerjes së saj. Kur Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë në përfundim të shqyrtimit të ankesës e deklaron avokatin fajtor, përveç masave të parashikuara në nenin 43 të këtij ligji, mund t’i kërkojë që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit në fjalë; t’i kompensojë dëmin e shkaktuar kërkuesit/ankuesit apo palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet e tij në masën që çmohet e drejtë nga rrethanat, që rezultojnë nga shqyrtimi i ankesës; të urdhërojë avokatin e deklaruar fajtor për të paguar shpenzimet e palëve të tjera dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për përballimin e çështjes disiplinore në fjalë. Për veprimtaritë e saj Dhoma Kombëtare e Avokatisë miraton tarifat e shpërblimit. Rregulla të hollësishme për shpenzimet përkatëse përcaktohen në rregulloren e Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›