E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për prokurorinë do të miratohet brenda dhjetorit

Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka vendosur që ligji për prokurorinë, i ardhur nga qeveria, të miratohet brenda muajit dhjetor. Në kalendarin trejavor të Kuvendit është vendosur të diskutohet edhe ky projektligj, i cili parashikohet të miratohet në datën 28 dhjetor, ditën e fundit përpara se Kuvendi të marrë pushimet dimërore. Reforma në drejtësi do të jetë në vëmendjen kryesore të Kuvendit në këto tri javë të ardhshme. Pas miratimit të buxhetit të shtetit të vitit 2009, më 27 nëntor në Parlament, për ditët në vazhdim prioritet i punës së Kuvendit do të vijojë të jetë paketa e projektligjeve që lidhen me reformën në drejtësi. Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë shqyrtimin e disa p/ligjeve të rëndësishme, pjesë e kësaj pakete, si p/ligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, “Për administratën gjyqësore” , Për Avokatinë” etj. Sipas axhendës së Parlamentit, tri javët e fundit të mbylljes së këtij sesioni parlamentar përfshijnë shqyrtimin e një sërë projektligjesh të reformës në drejtësi të ardhur nga Këshilli i Ministrave.

G99: Bode të ndërhyjë për çmimin e karburanteve

G99 kërkon që qeveria të ndërhyjë për çmimet abuzive të karburanteve. Në një deklaratë për shtyp, kjo lëvizje i kërkon ministrit të Financave, Ridvan Bode, që të ndërhyjë në treg. “Çmimet e karburantit në bursat ndërkombëtare vazhdojnë të jenë të ulëta, ndërsa në Shqipëri ato kanë ndryshuar me më pak se 5% në katër javë. Alibia e rezervave është ezauruar tanimë. Po ndërsa qytetarët vazhdojnë të shprehin shqetësim për këtë situatë, qeveria vazhdon të injorojë edhe këtë sinjal rreziku”, - shprehet G99. Sipas kësaj lëvizjeje, karburantet janë tepër të rëndësishme për ekonominë e një vendi në zhvillim, e sidomos për vendin tonë, ku shumë sektorë janë drejtpërdrejt të varur nga çmimet e tregut të pakicës. Gjithashtu, në perspektivën e një krize ekonomike globale, G99 mendon se qeveria nuk mund të rrijë pasive në një debat që ka pasoja direkte mbi ekonominë e Shqipërisë. “Para disa muajsh, ndërsa çmimet e karburanteve qenë në rritje, Ministria e Financave urdhëroi që TVSH-ja të mblidhej drejtpërdrejt nga grosistët e naftës, siç ishte normale në atë kohë. Por do të kishte qenë po aq normale që ministri Bode të kishte lëshuar një urdhëresë të re, për ta kaluar sërish mbledhjen e këtij detyrimi te tregtarët të vegjël, kur çmimet filluan të binin. Kjo do të kishte ulur çmimin e shumicës së karburanteve dhe do të kishte ulur presionet inflacioniste të këtij çmimi”, - thekson G99.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›