E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Shkëlqimi” i munguar i Voskopojës edhe pas 240 vjet përpjekje

12/06/2005  Kërshëria historike dhe bukuritë natyrore, vlerat e pavdekshme

KORÇE - Voskopoja ndodhet sërish “aty” ku ka qenë 675 vjet më parë, spese, sipas historianëve, ajo është themeluar në vitin 1330. Për shkak të pozicionit të saj, klimës dhe bukurive që ka, Voskopojën filluan ta preferojnë banorë nga shumë vende.

Duke parë zhvillimin e madh që po merrte ky qytet, çdokush pati dëshirë të vinte dhe të jetonte në këtë qytet. Tregtia e shumtë që po zhvillohej, bëri që Voskopoja të kthehej në një nga qytetet më të mëdha të perandorisë osmane të asaj kohe. Rritja dhe zhvillimi i këtij qyteti ishtë aq i madh, saqë në vitin 1874 arriti edhe lulëzimin e saj më të madh. Poullsia e këtij qyteti, arritit të kishte mbi 30 mijë banorë. Qyteti kishte 24 lagje dhe më e veçanta, të cilën nuk e kishin qytetet e tjera të asaj kohe, është se rrugicat karakteristike ishin të gjitha të shtruara me gurë të gdhendur. Akoma edhe më tepër e veçanta e Voskopojës, qëndronte në faktin, se të gjitha lagjet e këtij qyteti, kishin kishën, në të njëjtën kohë edhe çesmën e tyre.

Por sot, fatkeqësisht, nuk është më ajo Voskopoja me “shkëlqimin” që kishte dikur, edhe pse ka 240 vjet që përpiqen për ringjalljen e saj.

Kërshëria historike

Voskopoja, nëse dikur ka patur rreth 30 mijë banorë, qytet me akademi të themeluar në vitin 1744 dhe me shtypshkronjë që zë fill në vitin 1730, tashmë ka mbetur një fshat i vogël, që ende ruan gjurmët historike të këtij qytetërimi.

Rreth saj shtrihen pyje e burime me ujëra të ftohtë, ku kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre, piktorë të njohur si David Selenica, i cili ka lënë një mbishkrim të gjatë në Kishën e Shën Kollit, ku nënshkruan, “David Selenica 18 tetor 1726” dhe dy piktura, “Farëhedhësin” dhe atë të Ktitorit të kishës, arhondit të madh voskopojar, Jorgji Hirën.

Po gjurmët e tij gjenden edhe në kishat e Kosturit dhe të Selanikut.

Aty ka lindur Kostandin Jeronomaku, nga i cili ruhen rreth 100 ikona, Andon Shipskjoti, piktori i Shën Prodhomit, i cili ka lënë në këtë kishë edhe mbishkrimin e tij, dy vëllezërit piktorë dhe ikonografë, Zografi, ku gjurmët e tyre në Voskopojë gjenden te kisha e Shën Thanasit, Shën Kollit etj., argjendari Jakov Voskopojari dhe mjaft të tjerë.

Këta emra dhe shumë të tjerë e bëjnë Voskopojën edhe më tërheqëse në zbulimin e mistereve të saj.

Bukuritë natyrore

Kërshëria historike përzihet edhe me bukurinë natyrore.

Voskopoja mbetet dhe sot një vend mjaft i bukur dhe tërheqës. Ajo shtrihet në pllajën e Oparit, 1100 metra mbi nivelin e detit dhe është vetëm 23 km larg nga qyteti i Korçës.

Ndërkohë, Voskopojën, veç pyjeve dhe kullotave të shumta, e përshkojnë edhe tre lumenj, lumi i quajtur Zhombri, i Shën Harallambit dhe ai i Strugut. Të tre lumenjtë derdhën në lumin e Shën e Premtes, që shkon përfund Voskopojës dhe më pas bëhen pjesë e lumit Devoll, në afërsi të fshatit Protopapë.

Ndërsa rrënojat e kishës së Shën e Premtes të Dionisit dhe të shumë të tjerave të futin në mendime teksa qëndron sipër tyre.

Sipas botimit “Moskopolis” 1330-1930 të Joakim Martinjanit, botuar në Selanik, jeta e Voskopojës nisi me 16 familje të ardhura nga fshati Voskop i Korçës dhe tashmë ka përfunduar sërish në po kaq familje si në fillimet e veta, 675 vjet më parë.

Sot vetëm shenjat e qytetërimit

Rrënimi i Voskopojës

Përshëndetja e parë që të vjen teksa hyn në këtë fshat, është ajo e Urës së Kovaçit. Duket se kjo urë ndan rrugën që të çon për në fshatrat Gjonomadh dhe Lavdar. Edhe pse kjo urë është ndërtuar që në shekullin e XVI, ajo tashmë duket se tregon e para rrënimin e kësaj zone. Kjo urë është dëshmia e parë që ka mbetur gjallë nga të gjitha ndryshimet që janë bërë në këtë fshat. Por duket se edhe ajo dalëngadalë po zbeh kujtimin e saj. Ajo është shpallur monument kulture që në vitet 1970, por që për fat të keq qoftë edhe në ndonjë cep të rrugës nuk ka ndonjë shënim se kjo është monument. Ka pasur më parë, por nuk dihet që sa kohë më parë është zhdukur. Rrënimi i saj vjen dita-ditës, pasi mbi të kalojnë shumë automjete të tonazheve të ndryshme, të ngarkuara me hekura dhe beton. Por, pjesa më e prishur e kësaj ure është Qemeri.

Rrënimi i Voskopojës, ndihet edhe tek ish-akademia e famshme dhe biblioteka. Që nga koha e shkatërrimit të tyre, nuk është bërë asgjë, të paktën për të mbetur ndonjë relike. Tashmë në vendin e tyre ndodhen vetëm disa gurrë të një memoriali dhe asgjë më tepër.

Një nga qytetet me të bukura të Ballkanit

Voskopojë, e para akademi në vitin 1774

Me nismën e Joasef Gondes, në atë kohë mitropolit i Korçës, u hap shkolla e mesme, e cila në vitin 1744 u kthye në akademi. Si tempuj më dinjitozë përmenden Manastiri i Shën Prodhomit, Shën Marina, Shën Kolli etj.

Esnafët më të shquar ishin ata të tabakëve, të bakërxhinjëve, të argjendarëve, të bakajve, por me të njëjtën mjeshtëri përpunohej leshi e prodhoheshin qilima, levenxa, cerga e shajak që tregtoheshin deri në Austri. Aty gjen dhe bukuri të tjera po kaq të rëndësishme, siç është gravura e Shën Marisë, ku shkruhet shqip nga dora e piktorit voskopojar Nektor Tërpo, “Virgjin ë Mame e perëntis uro prë nee fajtorëtë (origjinal 1731)”.

Voskopoja e sotme, plani rregullues në letër që prej vitit 1993

“Banorët të pasigurt për investimet e reja”

KORÇE - Tashmë Voskopoja vuan për banorët e saj. Mbiemra të tillë si, Ballauri, Ikonomi, Çepi, Nova, Godeshi, Tiri etj., nuk figurojnë më aty. Mjaft prej mbajtësve të këtyre mbiemrave, janë larguar në vende të ndryshme të botës si emigrantë. Nëse Voskopoja në fillimet e saj kishte 36 kisha, shumë më pas pati 14, ndërsa tani ka vetëm 6 si, Shën Prodhomin, Shën Kollin, Shën Thanasin, Shën Ilia, Shën Gjergjin, dhe Shën Harallambin.

Për Voskopojën, është bërë shumë pak

Banorët e Voskopojës thonë se për Voskopojën është bërë shumë pak. Fondet nga buxheti i shtetit kanë qenë gjithnjë me pikatore. Investimet më të rëndësishme përmenden ato të restaurimit të kishës Shën Ilia, ndihma e kryepeshkopit Anastas për rregullimin e dy kishave, ndihmën e ambasadës amerikane për restaurimin e kishës së Shën Kollit, e cila ka vlera të rralla në gjithë Ballkanin dhe “Trashëgimi pa Kufi” të Francës.

Kryetari i Komunës, Nexhip Bacelli, thotë se, “Voskopoja ende nuk ka një plan rregullues për urbanistikën, edhe pse për këtë qëllim është marrë një vendim që nga viti 1993. Banorët nuk ndihen të sigurtë nëse në këto kushte mund të realizojnë ndërtime të reja ose jo. Policia e ndërtimit kërcënon herë pas herë se do të prishë ndërtimet e reja, edhe pse këto ndërtime, thotë Bacelli janë kryer mbi vetë pronat e banorëve të Voskopojës. Për më shumë, shton ai. Ndërtimet e reja janë ngritur sipas të gjithë kërkesave, me dru dhe gurë, me qëllim që të mos cënohen vlerat arkitekturore dhe historike të Voskopojës”.

Ndërkohë ndërtime të paligjshme po hedhin shtat në këtë ish-qytet historik.

Mundësitë janë, por sërish e harruar

Tashmë edhe pse janë të gjitha mundësitë për të rimëkëmbur Voskopojën e dikurshme, përsëri ajo ka mbetur e harruar. Vizitorët që vijnë aty më shumë i gëzohen pyjeve, ujërave, kullotave dhe lumenjve, emrit dhe famës historike, sesa Voskopojës reale, e cila në fund të fundit i ngjan vetëm një fshati që nuk ka as planin rregullues urbanistik të miratuar.

Janë bërë 240 vjet përpjekje, por emra të tillë si, Tërpo Zografi Kostandin Çepi, Ambroz Pamperi, Jani Adhami ende nuk po dalin. Ajo dëshirë e tyre për të patur një Voskopojë të mirëdëgjuar nuk po regëtin as në emra qeveritarësh të sotëm.

Popullsia e Voskopojës

Myslimanët ritet e zakonet i kryejnë nëpër kisha

Nuk mund të pretendohet nga të gjithë historianët dhe studiuesit se Voskopoja është një fshat me besim mysliman. Këtë e dëshmojnë të gjitha dokumentat, por një dëshmi e gjallë e këtij fakti, janë edhe kishat e shumta që ka ky fshat.

Myslimani i parë që ka shkuar për të banuar në Voskopojë, ka qenë në vitin 1936. Myzafer Ibrahimi dëshironte të jetonte në këtë vend dhe arriti të blinte një shtëpi në të dalë të fshatit. Preferoi të qëndronte vetëm dhe nuk u pa të rrinte me pleqtë e tjerë dhe të tymoste me ta. Kaq mbahet mend nga personi i parë mysliman që të ketë ardhur dhe të jetojë në këtë vend.

Megjithëse edhe tani duken mjaft qartë edhe ndarjet në varrime. Të krishterët dhe myslimanët kanë vende të ndryshme të varrimeve. Pas luftës pjesa më e madhe e banorëve të Voskopojës filluan të largohen nga vendi i tyre, duke shitur si shtëpinë, po ashtu edhe çdo gjë që kishin atje. Dalëngadalë Voskopoja filloi të banohej nga banorë dhe familje, të cilat vinin nga zonat shumë të thella të rajonit si ajo e Lekasit. Pjesa më e madhe e këtyre banorëve i përkisnin besimit mysliman. Nga 30 mijë banorë që kishte deri në shekullin e XVIII, tani në Voskopojë jetojnë mbi njëmijë banorë. Mbi 60 për qind e të gjithë popullsisë që ka ky fshat është e besimit mysliman, kurse pjesa tjetër i përket besimit ortodoks dhe vlleh. E veçanta e këtij fshati është se të gjitha ritet e zakonet fetare si për myslimanët po ashtu edhe për të krishterët, kryhen në kishat e ndryshme që ka ky fshat.

Për myslimanët e Voskopojës nuk ka asnjë ndërtesë ku mund të kryhen rritet fetare. Nuk ka as xhami dhe as teqe.

Fama e humbur e Voskopojës

Dikur 36 kisha, sot vetëm 6

Përpjekjet për rikthimin në jetë të Voskopojës, kanë nisur që nga djegia e saj e parë, më 24 qershor 1769, por flakët e zjarrit do ta përpinin dhe dy herë të tjera me radhë, një herë në vitin 1773 dhe për herë të tretë në vitin 1789.

E vërteta historike është se Voskopoja u dogj për herë të parë si pasojë e xhelozisë, sepse ky qytet po sfidonte tregun e disa rretheve feudale në vitin 1769. Zjarri iu vu edhe pse ishte nën mbrojtjen e Valide Sulltanes, nënës së Sulltanit.

Tashmë Voskopoja ka humbur famën dhe emrin e një qyteti të dëgjuar ballkanik edhe pse ende synohet në ringjalljen e saj për më se dy shekuj.

Nga 36 kisha që ka patur, sot numërohen vetëm 6 të tilla. Megjithatë historia voskopojare tërheq me mjaft kërshëri njerëz të shumtë, për të parë nga afër atë pjesë të mbetur të historisë, të punës së piktorëve të mëdhenj, si David Celenica etj.

Histori

Viti 1330 themelohet Voskopoja

Viti 1730 ndërtohet shtypshkronja

Viti 1744 themelohet Akademia

Tre djegiet

Viti 1769 Djegia e parë e Voskpojës

Viti 1773 Djegia e dytë e Voskopojës

Viti 1789 Djegia e tretë e Voskopojës

Gjeografi 30 mijë banorë

1100 metra mbi nivelin e detit

23 km larg nga Korça

Etapat

16 familje në themelimin e Voskopojës

30 mijë banorë në kulmin e qytetërimit

16 familje sot në Voskopojë

Kishat

Shën Prodhomi

Shën Kolli

Shën Thanasi

Shën Ilia

Shën Gjergji

Shën Harallambi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›