E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Të larguarit të zëvendësohen

12/06/2005  Partia Demokratike ka kërkuar dje zëvendësimin e menjëhershëm të zyrtarëve të lartë, të cilët dhanë dorëheqjen nga detyra një ditë më parë, si dhe kontrollin e abuzimeve, në rast se ka, me fondet publike. Zëdhënësi i fushatës së PD, Lulzim Basha, tha dje se dorëheqja e drejtuesve të enteve publike ka ardhur si pasojë e kërkesës së komunitetit ndërkombëtar dhe Presidentit të Republikës. “Pas kërkesës së komunitetit ndërkombëtar dhe të Presidentit të Republikës, dje u detyruan të lëshonin postet që mbanin në mënyrë të padrejtë pesë drejtorë të Enteve Publike që kandidojnë për Partinë Socialiste, të cilët vetëm një ditë më parë kishin deklaruar se nuk do të jepnin dorëheqjen”, tha Basha. Partia Demokratike ka kërkuar kontroll të fondeve si dhe zëvendësimin e menjëhershëm të posteve të lëna bosh. "Partia Demokratike kërkon kontrollin e të gjitha abuzimeve të tyre me fondet publike për fushatën elektorale si dhe zëvendësimin e tyre të menjëhershëm nga detyrat, nga të cilat u larguan këta zotërinj, që të gjithë anëtarë të klanit Nano”, tha Basha. Vetëm një ditë më parë dhanë dorëheqjen nga detyra pesë drejtorë institucionesh, të cilët kandidojnë në zgjedhjet e 3 korrikut, nën siglën e PS-së. Kërkesa për dorëheqjen e tyre ka ardhur dhe nga Presidenti i Republikës disa ditë më parë gjatë një vizite në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Presidenti Moisiu u shpreh se disa prej zyrtarëve lartë të institucioneve shtetërore po përdorin administratën e tyre në fushatë elektorale. Gjithashtu, Presidenti u ka bërë thirrje kandidatëve, që zotërojnë një post të lartë shtetëror, të mos përdorin fondet e buxhetit të shtetit gjatë fushatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›