E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI akuzon qeverinë Berisha për dështimin me procesin e pronave

Haxhinasto: Qeveria nuk ka një strategji të integruar për pronat
Menjëherë pas deklaratës së BE rreth problemit shqetësues për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave ka reaguar  LSI, e cila akuzon qeverinë për politikat e saj të dështuara për çështjen e pronësisë. Dështimi i qeverisë Berisha në zgjidhjen e problemit të pronësisë është dështimi më i rëndë i kësaj qeverie në politikat e saj zhvillimore,  pasi zgjidhja e kësaj çështje kushtëzon gjithë politikat e tjera sektoriale, zhvillimin e bujqësisë, turizmin, infrastrukturën, dhe veçanërisht kushtëzon tërheqjen e investimeve të huaja,- u shpreh dje kështu, kryetari i KDK të LSI, Edmond Haxhinasto. Shqetësimit të tyre i është bashkuar edhe Bashkimi Europian, duke e trajtuar atë me të drejtë si një kusht për integrimin e mëtejshëm të vendit në BE, tha Haxhinasto. Sipas Haxhinastos, pavarësisht asistencës në projekte strategjive të shumta në këtë sektor, që kanë angazhuar partnerë ndërkombëtarë e agjenci të specializuara, Bankën Botërore, USAID, Misionin Euralius, etj, qeveria Berisha nuk ka një vizion e një strategji të integruar që ti japë përfundimisht zgjidhje kësaj çështje në Shqipëri, që të kthejë pronën tek pronari dhe të çlirojë në qarkullimin ekonomik milionat e ngurtësuara në çështje pronësore të pa zgjidhura.Në këto vite të qeverisjes së saj, kjo qeveri e ka rënduar problemin në vend që ta zgjidhë atë,- u shpreh ai. Gjithashtu, Haxhinasto tha se  me mungesë të plotë transparencë, me një filozofi klienteliste dhe elektorale, kjo qeveri ka komplikuar bazën ligjore, ka krijuar konfuzion në kompetencat e agjencive që merren  me këtë çështje, siç është rasti i kompetencave të ALUIZNI-t, dhe ka shpërdoruar edhe fondet buxhetore për kompensimin e pronarëve.Për LSI  zgjidhja dhe konsolidimi i çështjes së pronësisë në Shqipëri është prioritet i programit të saj qeverisës, pasi zgjidhja e saj është jo vetëm çështje e të drejtave themelore të qytetarëve, por edhe përcaktuesi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm vendit,- u shpreh Haxhinasto.
Reagimi i BE për pronat
Edhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan në takimin e zhvilluar para dy ditësh në Tiranë me ekspertët ndërkombëtarë bëri të qartë se pa u zgjidhur problemi i pronave, Shqipëria do të ketë probleme me integrimin evropian. Gjithashtu, duke folur për rëndësinë e çështjes së të drejtave të pronës në Shqipëri, Lohan theksoi se përforcimi i së drejtës dhe zgjidhja për çështjet e lëna varur të kthimit, kompensimit dhe legalizimit janë qartazi themeltare për mirëqenien e përgjithshme të Shqipërisë. Tituj të qatë pronësie dhe siguritë ligjore janë parakushte thelbësore për një zhvillim të suksesshëm të vendit, tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, paqen sociale si edhe për procesin e integrimit evropian të vendit,- është shprehur Lohan gjatë takimit. Ndërsa,zv/ministri i ekonomisë Eno Bozdo është shprehur pesimist, duke thënë se duhet të pohojmë se ky vazhdon të mbetet një problem, i cili për fat të keq nuk ka për të patur një zgjidhje të shpejtë në kuadër të 1,2 apo 3 vjetëve, kjo sepse e kaluara shqiptare ka qenë komplekse.

Email This Klikime: 25

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›