E Shtunë, 31 Tetor 2026

“LSI alternativa ku do mbështeten shqiptarët”

26/01/2009  Meta takim me të rinjtë në Berat

“28 qershori që po vjen është dita juaj në radhë të parë, është dita e të gjithë shqiptarëve të zhgënjyer në mënyrë të pandershme dhe mizore nga dy partitë e vjetra, që kanë frikë pas 18 vjetësh nga vota e lirë e shqiptarëve, kanë frikë nga ëndrrat tuaja për një jetë të mirë dhe të bukur”. Në këtë mënyrë u është drejtuar kreu i LSI-së, Ilir Meta të rinjve të qytetit të Beratit, gjatë një takimi të zhvilluar me ta. Kështu, duke mos u ndalur në kundërvenien ndaj dy partive kryesore PS-PD, Meta garantoi se “nedo ta çlirojmë Shqipërinë nga monopolet e Sali Berishës apo të kujtdo tjetër, sepse ky duhet të jetë një vend që ofron mundësi për mirëqenie dhe mundësi për të gjithë shqiptarët, dhe jo vetëm për një pakicë që është e lidhur dhe mbrohet nga Sali Berisha”. Gjithashtu, duke u ndalur pikërisht në garën e ethshme elektorale të 28 qershorit, kreu i LSI-së shprehu bindjen se alternativa që përfaqëson kjo parti do të rezultoje fituese në këtë garë. “Në 28 qershor do të jemi alternativa ku do të mbështeten shumica e shqiptarëve për ti dhënë Shqipërisë demokracinë e kërkuar, për ti dhënë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin që ata kërkojnë dhe për të dënuar njëherë e mirë regjimin e monopoleve që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe për të luftuar me program varfërinë e shqiptarëve”, vlerësoi Meta, lidhur me këtë çështje. Sipas tij, politika e vjetër ka zhytur në stres familjen shqiptare, e cila po sjell drama dhe vetëvrasje të panjohura më parë, varfërinë e cila kërcënon jo vetëm ëndrrat e të rinjve. Po kështu, kryetari i LSI-së garantoi të rinjtë e këtij qyteti se “po vjen ora për të vendosur demokracinë dhe lirinë e munguar në këtë vend, po vjen ora e një alternative gjithpërfshirëse dhe që i jep shpresë gjithë shqiptarëve, dhe kjo është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›