E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI ankohet tek ODIHR për Dushkun e Madh

01/06/2005  Meta kërkon më shumë vëzhgues në zonat e nxehta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ka shprehur shqetësimin e tij shefit të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, Jurgen Grunet, për “Dushkun e Madh”, që po përgatisin për zgjedhjet dy forcat kryesore. Gjatë takimit, ambasadori Grunet ka theksuar angazhimin e OSBE/ODIHR-it, për të monitoruar nga afër gjithë procesin. Kreu i LSI-së i ka bërë të ditur ambasadorit Grunet se përgatitjet për zgjedhjet nuk janë serioze dhe se nuk garantojnë një proces të lirë e të ndershëm. “Përgatitja e listët së zgjedhësve janë akoma në një fazë shumë problematike. Parregullsitë që ato kanë, janë pjesë e strategjisë së butë të qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve. Kam dënuar në mënyrë të qartë strategjinë, tashmë reale të zgjedhur nga qeveria nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe gjithë njësive të tjera të këtij pushteti, që ka të bëjë me manipulimin e listave të votuesve për zgjedhjet e 3 korrikut. Janë të shumta faktet, madje të evidentuara me dhjetëra e mijëra raste kur ka ndodhur një manipulim i organizuar dhe i qëllimshëm të listave të votuesve”, tha Meta. Gjithashtu, ai i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që “të dalë me një vendim, që të vendoset një shenjë me bojë të dukshme për çdo votues, për të parandaluar një fenomen, i cili tashmë është paralajmëruar, që njerëz të organizuar nga ana e qeverisë dhe e partisë në pushtet, të votojnë disa herë nëpër qendra votimi të ndryshme”. Në takim, Meta shtroi nevojën e respektimit të legjislacionit shqiptar, i cili nuk lejon shtetasit e huaj të marrin pjesë në fushatën elektorale. Meta ka theksuar në takimin me ambasadorin Grunet se në zonat ku LSI-ja ka dyshime të instalohen vëzhgues ndërkombëtar, në mënyrë permanente në zgjedhjet e 3 korrikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›