E Hënë, 2 Nëntor 2026

Populli është lodhur nga keqqeverisja dhe nga varfëria

01/06/2005  Vasillaq Ngresi, kandidati i PD, thekson se do të kontribuojë për të nxjerrë vendin nga kriza

Lindur më 10.12.1959 Fier

Arsimi: Fakulteti Gjeologji-Miniera, dega Gjoefizikë, diplomuar në 1984

1984-1992 punon ing. në Ndërmarrjen Sizmike

1992-1994 punon si specialist në Institutin Gjeologjik të Naftës Fier

1994-1997 drejtor i Ndërmarrjes Sizmike Fier

Pas vitit 1997 del në aktivitet privat, pronar i firmës “Adva” sh.p.k, e cila merret me shpime hidrogjeologjike

Në 1992 anëtarësohet në PD, dega Fier, dhe më pas anëtar i kryesisë së nëndegës Fier

Gjuhë e huaj, frëngjisht, italisht, serbokroatisht, anglisht

Gjendja civile: I martuar, me 3 fëmijë

Kandidati i PD në Fier, Vasillaq Ngresi, thekson se ka marrë mbështetjen e elektoratit, pasi fierakët janë lodhur nga keqeverisja dhe varfëria.

Z.Ngresi, përse keni zgjedhur kandidimin në Zonën Elektorale 67?

Të them të drejtën, nuk e kisha menduar kandidimin tim, por ftesa dhe besimi qenë nga lidershipi i PD, duke më dhënë kënaqësinë mua për të dhënë kontributin tim në zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale, me të cilat përballet zona ime elektorale, ku unë kam lindur e vazhdoj të banoj.

Me këtë rast mendoj, si intelektual, se nuk mund të qëndroja indiferent në këtë situatë të vështirë dhe tepër kritike që po kalon vendi ynë dhe si anëtar i PD të isha pjesëmarrës aktiv në vënien në zbatim të programit elektoral të PD, me sloganin “Kohë për ndryshim". Pra, ky kandidim është një mundësi që më jepet për të dhënë kontributin tim në zgjidhjen e krizës që po kalon vendi ynë.

Ku e mbështesni kandidimin tuaj?

E mbështes në pastërtinë e figurës sime morale e politike, në aftësitë e energjitë e mia për të qenë pjesëmarrës aktiv në konkretizimin e platformës elektorale, që ka përgatitur PD. E mbështes në prejardhjen time, si qytetar i vjetër i Fierit dhe rrjedhimisht në njohjen deri në hollësi të problemeve zakonore si dhe çështjeve sociale që ka kjo zonë. E mbështes në besimin që ka krijuar platforma e PD në popull, në programin e saj kundër korrupsionit, në programin e saj të qartë në fushën e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Gjithashtu në këto vite, duke qenë larg administratës shtetërore, politike të socialistëve, unë jam pjesë dhe vuajtës i kësaj krize të gjithanshme, që ka pllakosur vendin, ku pjesa më e madhe e njerëzve vuajnë varfërinë ekstreme dhe një pjesë e vogël e saj jetojnë në një luks të pamerituar.

Çfarë premtimesh i ofroni elektoratit tuaj?

Kryesore për mua do të jetë përfaqësimi dinjitoz i tyre në parlamentin shqiptar, ku unë do të jem zëdhënësi i tyre, i halleve dhe i problemeve të tyre. Do të jem mbështetës dhe pjesë e zgjidhjes së këtyre problemeve në parlament, duke filluar që nga projektligjet që u përgjigjen interesave të tyre, deri në insistimin që në projektbuxhetin, që hartohet në fund të vitit, të caktohen fonde për zgjidhjen e problemeve, që kanë të bëjnë me zonën time, probleme të infrastrukturës, furnizimit me ujë, drita, shkollim etj. Për mua, nuk do të ketë diferencim për sa i përket bindjeve partiake, qofshin të djathtë apo të majtë.

Keni besim te fitorja dhe ku e mbështesni?

Kam shumë besim te fitorja dhe këtë besim e mbështes te programi i partisë që unë përfaqësoj dhe programi i saj elektoral. PD, duke qenë për 8 vjet në opozitë, di të mbrojë vlerat më të mira, platforma jonë u kthen njerëzve besimin, një platformë antikorrupsion, me orientime të qartë në fushën e zhvillimit ekonomik shoqëror.

Ç'mendon për kandidaturat e tjera të zonës suaj?

I respektoj kandidatët e tjerë si intelektual, disa i njoh si qytetar të vjetër të Fierit, po ashtu si unë dhe i quaj pjesëmarrës në garë. Në planin personal, absolutisht nuk kam asgjë për ta. Në pikëpamjen e zgjidhjes së problemeve të popullit, besoj se ata shumë premtojnë dhe nuk mbajnë asnjë premtim, gjë të cilën e ka vërtetuar koha. Do të jetë elektorati që do të dijë të zgjedhë më të pastrin, më të ndershmin dhe më popullorin. Ju uroj kandidatëve të tjerë një garë të qetë, e të bazuar mbi argumentin dhe jo premtime boshe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›