E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj: Partitë kanë bërë presion për të ndryshuar sondazhin

01/06/2005  Drejtuesit e Majft, theksojnë se rezultatet e intervista nuk mund të manipulohen

Drejtuesi i organizatës "Mjaft!", Erion Veliaj, është shprehur dje se, në përfundim të sondazhit paraprak të zgjedhjeve, i kryer në bashkëpunim me "Gallup", ka pasur presione prej të gjitha partive, të cilat kanë kërkuar ndryshimin e rezultateve. Në një prononcim për mediat, ai është shprehur se jo vetëm partitë e mëdha, por dhe partitë e vogla kanë ushtruar presion mbi këtë organizatë, në mënyrë që rezultatet të jenë të ndryshme nga ato që kanë dhënë të intervistuarit. Për Veliajn, një situatë e tillë sjell dyshime mbi rezultatet që do të kenë zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri. Duke bërë një paralelizëm të situatës, Veliaj theksoi se kur politikanët bëjnë presione mbi një sondazh paraprak, do të thotë se janë të gatshëm që të mohojnë dhe zgjedhjet, duke kërkuar që të jenë fituesit me çdo kusht. Sipas tij, ky veprim nuk është i mirë dhe do të sjellë pasoja negative për vendin. Megjithatë, Veliaj shprehet se është i pamundur ndryshimi i rezultateve, pasi nga Gallup kanë ardhur katër dosje me rezultatet e sondazhit. Dy ambasadat që kanë financuar sondazhin paraprak, ambasada e Holandës dhe ajo e Britanisë së Madhe, janë institucionet që kanë marrë të parat përgjigjen e dalë nga intervistat. Veliaj shprehet se rezultatet u janë paraqitur dhe një ambasade tjetër në Shqipëri. Ndërsa dosja e katërt i është dorëzuar organizatës "Mjaft!". Në këtë mënyrë, Veliaj shprehet se është e pamunduar që të ndryshohen të dhënat e dala nga intervistat. Ndaj, ai është shprehur se dhe presionet nuk duhet të vijojnë nga partitë politike.

Veliaj ka hedhur poshtë të dhënat e publikuar në media, duke theksuar se vetëm nesër (sot) do të bëhen publike rezultatet e dala nga 1400 intervistat e kryera në terren. Megjithatë, burimet kanë bërë të ditur se nga intervistat rezulton se sërish Partia Demokratike është në avantazh në krahasim me Partinë Socialiste. Një e dhënë e tillë, është publikuar pak ditë më parë dhe nga NDI. Ndërsa, duket se PS do të hedhë poshtë çdo të dhënë që do të vijë nga organizmat e pavarura. Pak ditë më parë, zëdhënësi i Partisë Socialiste është shprehur se PS ka institucionet e saj që marrin të dhëna në terren, ndërsa për sondazhet e kryera nga "Mjaft!" apo dhe NDI, ai shprehet se kjo ka të bëjë me një epidemi të paralajmëruar në prag të zgjedhjeve. Gjithsesi vetëm sot pritet që Veliaj në bashkëpunim me përfaqësuesit e Gallup të paraqesin të dhënat e marra nga intervistat në terren.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›