LSI e PDK: Të reflektojnë partitë e mëdha
LSI-ja dhe PDK-ja kanë vlerësuar vendimin e kreut të shtetit për kthimin në Kuvend për rishikim, të Kodit të ri Zgjedhor. Deputetët Pëllumb Xhufi dhe Ndue Shpani, theksuan gjatë diskutimeve të tyre, në seancën e djeshme të Parlamentit, se me kthimin e Kodit, Presidenti evidentoi papërgjegjshmërinë me të cilën dy partitë e mëdha e miratuan ligjin zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, është ndalur edhe te deklarata e bërë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e cilësuar atë si të padenjë dhe nervoze. "Vendimi i Presidentit Topi", tha deputeti Xhufi, "ngjalli tollovi dhe nervozivëm tek ata që e votuan". Gjithashtu, ai ka theksuar se LSI-ja është e bindur se defektet në Kodin Zgjedhor, janë më të rënda sesa ato për të cilat Presidenti Topi vendosi kthimin e ligjit në Parlament. Xhufi, shtoi se si forcë politike, LSI do të vazhdonte sensibilizimin e qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve për defektet e mëdha që ka Kodi.