E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: PD nuk e ka me ngut këtë çështje, ndryshe nga PS

Partia Demokratike lëshon një lum kritikash për juristët e Presidentit Bamir Topi, të cilët kanë kthyer Kodin Elektoral. Në emër të Partisë Demokratike, zëdhënësi i grupit parlamentar, Aldo Bumçi, ka theksuar se "Juristët e Presidentit u treguan të nxituar dhe të pamatur me vendimin e tyre". Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u tregua i rezervuar në deklaratat e tij, duke deklaruar vetëm se "PD nuk e ka me ngut këtë çështje, ndryshe nga PS-ja. Ne kemi kohë të mjaftueshme për t‘u njohur me vërejtjet e Presidentit dhe të mbajmë një qëndrim pas mbledhjes së grupit parlamentar". Sipas Kodit Elektoral, Presidenti duhet t‘i dekretojë zgjedhjet jo më shumë se 9 muajt përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Presidenti vlerëson se dekretimi i Kodit, publikimi i tij në Fletoren Zyrtare dhe hyrja në fuqi, kanë afate të përcaktuara kohore, pas të cilave atij nuk i mbetet më kohë për të respektuar afatin e tij 9-mujor për dekretimin e datës së zgjedhjeve. Duket se argumenti teknik i kreut të shtetit i ka vendosur me shpatulla pas murit mazhorancën dhe personat që kanë ideuar dhe ndërtuar Kodin e ri. Partia Demokratike e cilëson prokurorinë të pavarur nga mazhoranca, por të influencuar nga opozita. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, u shpreh se "Prokuroria është e pavarur nga mazhoranca dhe qeveria, por nuk është e pavarur nga segmente të tjera si opozita dhe kryetari i saj". Nisur nga akuzat ndaj ish-ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, për abuzime me fondet publike në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, deputeti Bumçi u ndal te pozicioni i organit të prokurorisë në këtë çështje. "Çdo akt për ndërtimin e rrugës është një vendim kolektiv i qeverisë. Mazhoranca është për hetimin e rrugës dhe shtetin ligjor, por ne nuk mund të mbajmë gojën mbyllur kur shikojmë se si prokuroria është kthyer në një instrument politik", tha deputeti i PD-së. Ai theksoi se ka kaluar faza kur institucionet e drejtësisë përdoreshin politikisht. Sipas tij, "Gjykata Kushtetuese ka kthyer në këto tre vjet më shumë ligje sesa ka kthyer në tetë vite, që është shenjë e pavarësisë dhe jo e kontrollit ndaj institucioneve". Por, shtoi deputeti Bumçi "ndërsa prokuroria është e pavarur nga shumica dhe qeveria, nuk është e pavarur nga segmente të tjera si opozita dhe kryetari i saj".

Refuzimi i Kodit Elektoral nga Presidenti Bamir Topi ka çoroditur kampin e djathtë. Zyrtarisht, Partia Demokratike nuk ka një vendim politik për t‘u dhënë përgjigje argumenteve se pse kreu i shtetit ka refuzuar Kodin e miratuar nga 112 vota në Kuvend. Reagimi i mazhorancës ashpër ndaj Presidentit pritet të përshkallëzohet në ditët në vazhdim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›