SHBA do të dërgojë vëzhgues në Shqipëri
15/05/2005 Departamenti Amerikan i Shtetit dëshiron të dërgojë vëzhgues në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, që do të mbahen më 3 korrik. Lajmi bëhet i ditur përmes një komunikate për shtyp, të shpërndarë nga ky departament, në të cilën thuhet se OSBE-ja i ka kërkuar Uashingtonit të marrë pjesë në një mision vëzhgues për zgjedhjet në Shqipëri. Në komunikatë thuhet se ambasada amerikane në Tiranë, si dhe organizata joqeveritare nga ky vend do të vëzhgojnë zgjedhjet në mënyrë të pavarur. Një vendim i tillë duket se është në mbështetje të OSBE-së, që ka vendosur të shtojë këtë vit numrin e vëzhguesve. Në zgjedhjet e datës 3 korrik pritet që mbi 600 monitorues të kenë në kontroll zhvillimet para dhe pas zgjedhjeve. Të dhënat e tyre do të jenë pika kyç në përpilimin e raportit përfundimtar mbi Shqipërinë.