Ministria e Brendshme: Qeveria po bën atë që s’bëri PS-ja në dy mandate
Akuzat e Partisë Socialiste për mungesë transparence në procesin e bërjes së kartave të identitetit kanë marrë përgjigje nga Ministria e Brendshme e cila i ka kujtuar kësaj partie që nuk ka arritur të bëjë këto karta në dy mandatet e saj qeverisëse. Duke i cilësuar të papërgjegjshme deklaratat e Partisë Socialiste lidhur me procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, ministria shprehet: “Kjo qeveri arriti të realizojë brenda mandatit të saj të parë atë që qeveritë socialiste nuk arritën ta realizojnë për vite me radhë”. Duke sqaruar më tej zhvillimin procesit të përgatitjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, kjo ministri thekson: “Ka qenë një nga proceset maksimalisht transparente, duke arritur të kemi një letërnjoftim dhe pasaportë biometrike të standardeve nga më të lartat në Evropë”. “Sot për herë të parë në Shqipëri ka një regjistër unik dhe elektronik të shtetasve, me ndërfaqe online, me procesin e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike. Qeveria shqiptare mori të gjitha masat për të pasur një produkt me kosto të ulët, duke përjashtuar madje edhe nga TVSH-ja letërnjoftimin elektronik dhe duke ulur në këtë mënyrë edhe me 35% koston e tij”, - thuhet në njoftimin e ministrisë. Ndërkohë, prej disa ditësh kjo ministri, siç bën të ditur dhe nëpërmjet njoftimit të djeshëm, nëpërmjet medias ka qartësuar procesin e aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces i cili do të shoqërohet me një fushatë të fuqishme publicitare. Dje, Partia Socialiste u shpreh e shqetësuar se procesi për pajisjen me karta identiteti po zhvillohet në mungesë të plotë transparence. Deputeti socialist, Blendi Klosi, kërkoi në emër të PS-së, që një kategori njerëzish ta përfitojnë kartën falas. "Sot, kur ngelen vetëm dy ditë nga dita e fillimit të procesit, nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm, përfshi dhe qeveritarët konfuzë, që të jenë të qartë ku do të aplikojnë, sipas cilit kalendar duhet të aplikojnë dhe kur do të pajisen me letërnjoftimin", - tha Klosi.