E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vatra”, Topit: Mos pengo hapjen e dosjeve



“Politika të angazhohet për zbatimin e ligjit”

“Krimet e komunizmit nuk mund të arkivohen”

Shqiptaro-amerikanët e shoqatës “Vatra” në SHBA përfshihen në çështjen e hapjes së dosjeve në Shqipëri, duke i dërguar një letër kryetarit të shtetit, Bamir Topi. Teksa z. Topi i kërkohet dekretimi sa më shpejt i ligjit të lustracionit, politikës së të dy krahëve u bëjnë thirrje që të zbatojnë atë dhe mos të arkivojnë krimet e komunizmit. Federata panshqiptare "Vatra", në Nju Jork, kërkoi dje që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të plotësojë kompetencat e tij kushtetuese dhe të dekretojë ligjin e lustracionit, ndërkohë që klasa politike shqiptare në tërësi të angazhohet për zbatimin e këtij ligji. Përmes një letre drejtuar Presidentit të Republikës, kryetari i kësaj shoqate, Agim Karagjozi, shpreh mbështetjen për ligjin e lustracionit të aprovuar nga Parlamenti shqiptar në përfundim të sesionit të vjeshtës. "Ky ligj është i domosdoshëm për vendosjen e të drejtës dhe dinjitetit të njeriut shqiptar. Ndarja e qartë dhe e prerë me të shkuarën diktatoriale komuniste është kusht i parë për zhvillimin e një shoqërie demokratike. Shqipëria në këtë rrugë është e vonuar dhe nuk mund të pritet më gjatë", - thuhet në këtë letër. Sipas kryetarit të shoqatës "Vatra": "Është e dhimbshme dhe e papranueshme që të shohësh në nivele të larta të jetës politike dhe publike shqiptare, në Parlament dhe institucione të rëndësishme shtetërore, individë që kanë lyer duart me krime politike dhe i kanë shërbyer me zell makinës kriminale të diktatorit Hoxha. Është cinike të thuhet se ato krime duhet të arkivohen, pa marrë asnjë qëndrim ndaj aktorëve të tyre. Dhe është e pafalshme që edhe sot, pas 18 vitesh pluralizmi e demokracie, ata individë nuk shprehin asnjë lloj pendese publike, përkundrazi, krenohen me arrogancë", - vijon më tej z. Karagjozi në letrën e tij. Federata panshqiptare e Amerikës, "Vatra", është themeluar në 28 prill 1912 dhe gjatë gjithë aktivitetit të saj, përgjatë një shekulli, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›