Zgjedhjet 2009, Artur Roshi bashkon ballistët
Aleancë me PD-në, por duke ruajtur identitetin politik. Ky është qëndrimi i shprehur dje nga kryetari i PBKD-së, Artur Roshi, gjatë takimit të djeshëm të strukturave të partisë në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. “Të djathtët në skenë janë aleatët tanë, por duhet të ruajmë me vendosmëri individualitetin tonë politik”, - u shpreh z. Roshi. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe ish-themeluesit e PBKD-së, z. Roshi e konsideroi të paplotë ligjin e qeverisë për ish-të përndjekurit politikë. Sipas tij, projekti i partisë që ai drejton është më real pasi ata s’kanë nevojë të futen në labirintin e plotësimit të dokumenteve. “Me aq lehtësi sa u arrestuan apo u vranë, duhet edhe të identifikohen për t’u dëmshpërblyer. Nuk është aspak e vështirë”, - deklaroi ai.
Artur Roshi deklaroi: “Programit tonë i është shtuar edhe çështja e dekomunistizimit. Shoqëria shqiptare nuk mund të jetë e shëndetshme, pa u pastruar tërësisht nga mbeturinat e ideologjisë komuniste. PBKD-ja ka qenë e para që ka propozuar ndërtimin e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit.
Ne jemi për modelin rumun të këtij instituti. Zbardhja e krimeve është një nga proceset e tij, denoncimi i tyre në gjykatë duhet të jetë hapi tjetër”, - theksoi kryetari Roshi. Sipas tij, dënimi i kriminelëve është domosdoshmëri humane, jo hakmarrje. Dënimi i tyre do të bëhet në përputhje me ligjet kombëtare dhe ligjet ndërkombëtare. Në gjykimin e ballistëve rishkrimi i historisë, pa dënuar kriminelët e saj, është një proces i mangët, që do të kërkojë të përmbushet. “Hapja e dosjeve duhet të jetë pa kufizime, ish-funksionarët e Partisë Komuniste nuk duhet të përjashtohen nga administrata në mënyrë selektive”, - u shpreh z. Roshi.