E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL: Duheshin masa më radikale për ish-sigurimsat



Legalistët do të dëshironin masa më radikale ndaj ish-sigurimsave të shtetit, por gjithsesi ata kërkojnë siguri për zbatimin e ligjit të sapomiratuar në Kuvend për hapjen e dosjeve. Sipas kryetarit të PLL-së, Ekrem Spahia, duheshin masa me radikale që do t'i shërbenin rivendosjes së drejtësisë dhe kompensimit më të shpejtë të ish-të burgosurve dhe përndjekurve politikë. Kryetari i PLL-së shprehu optimizëm dhe vlerësoi me nota pozitive përpjekjet që po bëhen dhe masat që po merren nga qeveria për dënimin e krimeve të komunizmit dhe shprehjen e nderimit për viktimat e atij sistemi. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, zhvilloi dje një takim me strukturat drejtuese të degës së PLL-së Krujë. Ky takim pati si qendër të diskutimeve intensifikimin e punëve të strukturave lokale të PLL-së në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Spahisë: "Zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë një rëndësi jetësore për PLL-në, por edhe për vazhdueshmërinë e reformave dhe të suksesit të kësaj mazhorance qeverisëse. Partia Lëvizja e Legalitetit po përgatitet intensivisht për zgjedhjet parlamentare dhe ka si objektiv të qartë realizimin e përfaqësimit parlamentar dhe dhënien e një kontributi të qenësishëm në fitoren e koalicionit të qendrës së djathtë". Spahia tha gjithashtu se për realizimin e këtij objektivi është e nevojshme që, krahas shpalosjes më me efikasitet para zgjedhësve të programit dhe alternativave të PLL-së, të sigurohet një motivim dhe angazhim më i madh i strukturave dhe anëtarësisë së PLL-së. Krijimi i infrastrukturës elektorale në përputhje me ndarjen elektorale, nxitja e anëtarësisë për të qenë pjesë më aktive e diskutimit në parti dhe vendimeve që merren në të, zgjerimi i radhëve të PLL-së me anëtarë të rinj janë detyra parësore për të cilat po punohet çdo ditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›