Mediu, apel PD-së: Është koha për strategjinë e re të së djathtës
“Zgjedhjet që vënë në provë qeverisjen e djathtë”
Ish-ministri i Mbrojtjes kërkon zbardhjen e “Gërdecit”
Republikanët kërkojnë nga PD-ja dhe aleatët e djathtë hartimin sa më parë të një strategjie për zgjedhjet e 2009-ës. Sipas kryetarit të PR-së, Fatmr Mediu, organizimi elektoral i së djathtës duhet të fillojë që tani për një strategji të përbashkët, për t’u finalizuar me një fushatë të suksesshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai vuri dje në dukje se thelbi i këtij koalicioni do të jetë përfshirja brenda një koalicioni i të gjitha partive relevante politike të së djathtës. “Por që në fund, në themel të saj ka organizimin dhe funksionimin tonë si parti brenda këtij koalicioni. Çdo votë ne do ta kërkojmë për Partinë Republikane dhe çdo strukturë dhe individ do të punojë për PR-në”, - deklaroi z. Mediu. “Megjithëse ligji i ri për zgjedhjet ka penalitete për partitë e vogla, - tha Mediu, - këto janë të gatshme të bashkëpunojnë për të arritur fitoren”. Mediu i quajti të pavlera sloganet e Partisë Socialiste për bashkimin e qytetarëve përtej të majtës dhe të djathtës, duke vënë në dukje mungesën e alternativës së opozitës në këto vite. Asambleja Kombëtare e PR-së, e mbledhur dje në Pallatin e Kongreseve në ditën e 18-vjetorit të krijimit të kësaj partie, vlerësoi angazhimin e republikanëve në arritjet e deritanishme për integrimin e vendit në NATO dhe BE dhe diskutoi për përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Kryetari i kësaj partie, Mediu, shprehu bindjen se "koalicioni me PD-në dhe forcat e tjera të djathta, do të sjellë fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare''. Kreu republikan vuri theksin tek organizimi i strukturave elektorale nëpër rrethe. “Këto zgjedhje, - theksoi ai, - do të vënë në provë punën 4-vjeçare të koalicionit qeverisës. PR-ja krijon pa dyshim një nga vlerat e munguara të politikës shqiptare. Ne jemi një parti e tolerancës dhe etikës brenda vetes dhe në raport me politikën në tërësi. Kemi ditur të ruajmë dhe të vlerësojmë çdo kontribut, kemi ofruar mundësi për njerëz të rinj në politikë dhë në qeverisje. Është e domosdoshme që krahas punës së çdo subjekti politik për organizimin e fushatës, të krijohen grupe të përbashkëta të analizës elektorale dhe që t’u paraprijnë vendimeve të përbashkëta”, - u shpreh kryetari i PR-së, Fatmir Mediu.
Godo: Vetëm e bashkuar, e djathta siguron fitoren
Presidenti i Nderit i PR-së, Sabri Godo, mendon se vetëm e bashkuar në një koalicion të zgjeruar, e djathta shqiptare do të mund të sigurojë dhe një mandat të dytë qeverisës. Gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Parlamentare të PR-së, Godo theksoi: "Ne si forcë politike kemi pasur dhe i kemi dhënë shumë këtij vendi në njerëz dhe në vlera, por është momenti që me formulat e reja që ky Kod Zgjedhor na dha, të mblidhemi të gjithë të djathtët për të pasur sukses në zgjedhjet parlamentare që janë në prag". Në fjalën e tij, zoti Godo uroi të gjithë pjesëmarrësit për 18-vjetorin e formimit të Partisë Republikane. “Ne kemi qenë pa dyshim pjesë e pandarë dhe kemi meritat tona në rrugën e zhvillimit dhe forcimit të demokracisë në Shqipëri”. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, z. Sabri Godo, mbasi analizoi punën organizative të degëve të PR-së në qarqe dhe rrethe, theksoi se Partia Republikane do të japë kontributin e saj për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si një nga kushtet për integrimin në BE.
Mediu: Të zbardhet tragjedia e Gërdecit
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi dje Prokurorisë së Tiranës zbardhjen sa më të shpejtë të tragjedisë së Gërdecit. Një vit pas tragjedisë së Gërdecit, gjatë asamblesë kombëtare të PR-së, Mediu apeloi në adresë të prokurorisë që të qëndrojë larg ndikimeve politike dhe të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit. Fatmir Mediu dha menjëherë dorëheqjen pas tragjedisë së Gërdecit nga posti i ministrit të Mbrojtjes, një akt të cilin ai e cilësoi moral, duke theksuar se nuk mbante përgjegjësi ligjore për shpërthimin. Vazhdimisht figura të rëndësishme të mazhorancës, duke filluar nga Kryeministri Sali Berisha, kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të çështjes së Gërdecit nga Prokuroria, çështje e cila ka ndikuar shumë në performancën e qeverisë.