Ligji i dosjeve, Topi: Firma, në momentet e fundit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ruan për momentet e fundit vendimmarrjen e firmës mbi dekretin e ligjit të dosjeve. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga skadimi i afatit që i jep Kushtetuta për dekretimin e ligjit të lustracionit, kreu i shtetit këtë veprim të tij e ka argumentuar me faktin se këto janë çështje të karakterit metodik që ndjek Presidenti. “Unë e kam të detyrueshme për shumë gjëra që të marr konsultimin e nevojshëm me konstitucionalistë, me njerëz që kanë eksperienca në fusha të ndryshme dhe në pozicionin e Presidentit nuk mund të ketë emocion. Ky është një pozicion përtej politikës, duhet të jesh shumë i saktë, sepse përderisa e kam marrë dhe jam betuar për këtë pozicion, duhet të jem luajal qoftë në çdo frymë, qoftë në çdo gërmë të Kushtetutës dhe të ligjit”, - është shprehur ai.
Sipas tij, kjo është arsyeja që kërkon konsultimin, kjo është arsyeja që kërkohet një kohë e caktuar për vendimmarrjen. Topi ka bërë të ditur se duke respektuar pozicionin e Presidentit të Republikës, duhet të jetë mjaft i kujdesshëm për të mos paragjykuar asgjë nga pikëpamja e ndërtimit ligjor të termave që janë përdorur në këtë ligj, sepse i takon të flasë me dekret.