Reklamat, vetëm për subjektet zgjedhore të regjistruara në zgjedhje
Një vend të rëndësishëm në Kodin e ri Zgjedhor zënë edhe reklamat politike gjatë fushatës elektorale. Sipas Nenit 84, reklamat politike të subjekteve zgjedhore duhet të transmetohen nëpërmjet intervaleve kohore nga 15.00 deri në 18.00 dhe nga 21.00 deri në 24.00 të programit ditor. Sipas këtij neni, vetëm subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhje kanë të drejtë të transmetojnë reklama politike gjatë periudhës zgjedhore në radiot, televizionet apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit. Reklamat politike të koalicioneve zgjedhore llogariten brenda kohës së partive politike anëtare të koalicionit, sipas marrëveshjes individuale të secilës parti me operatorin radioteleviziv. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 45 minuta për secilën parti që ka marrë deri në 20% të vendeve në Kuvend dhe 90 minuta për secilën parti që ka marrë më shumë se 20% të vendeve në Kuvend. Operatorët radiotelevizë në çdo rast zbatojnë tarifa të njëjta brenda të njëjtit segment kohor. Për zgjedhjet në Kuvend, radiot dhe televizionet private kombëtare dhe satelitore, të cilat pranojnë reklama me pagesë, janë të detyruara që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar ta vënë në dispozicion falas të subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore nga ana e radiove dhe televizioneve private llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore. Në rast se do të rezultojnë shkelje në mosrespektimin e minutazhit të përcaktuar për reklamat politike, KQZ-ja gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 2 milionë lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3.5 milionë lekë. Në rast të ripërsëritjes së shkeljeve, KQZ-ja urdhëron KKRT-në për bllokim të transmetimit për 48 orë.
13 Dhjetor 2008