E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI kërkon pezullimin e privatizimit të ARMO-s

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga qeveria të pezullojë procesin e privatizimit të kompanisë së naftës ARMO. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, duke iu referuar nisjes dje të procedurave të shitjes së kësaj kompanie shtetërore tha se LSI parimisht nuk është kundër privatizimeve, por është kundër privatizimeve korruptive. “Aktualisht, privatizimi i ARMO-s po bëhet pas një strategjie të ndjekur për shkatërrimin gradual të saj, shkatërrim që po vazhdon edhe sot, kur drejtues të lartë të shtetit vjedhin pasurinë publike në mes të ditës, vetëm për ta shkatërruar këtë kompani dhe për ta shitur më pas si kompani të pavlerë”, - tha Prifti. Ai sqaroi se edhe kontrata e lidhur me kompaninë “Banker s” është tepër abuzive, sepse ajo lejon për puset që bien nën një nivel të caktuar nxjerrjeje, t i kalojnë kësaj kompanie në administrim. Kështu ka ndodhur që dhjetëra puse me rezultate të larta nxjerrje, të ulen në kuota prodhimi shumë të ulëta, vetëm që ato t i jepen kompanisë “Banker s” në administrim dhe pas pak ditësh çuditërisht këto puse nafte trefishojnë prodhimin e tyre. “Po i them dhe një fakt tjetër Berishës se zyrtarët më të lartë të Policisë së Fierit dhe familjarë të tyre, çdo natë vjedhin në mënyrë ilegale naftën e shtetit dhe e shesin atë tek karburantet private në atë zonë”, - tha ai. Prifti shtoi më tej se kjo kompani nuk duhet të privatizohet për momentin, sepse tregu ndërkombëtar i naftës ka favorizuar ndjeshëm pozitën në treg të kësaj kompanie dhe fitimet janë kolosale.

Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›