E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS fajëson mazhorancën për vonesat

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Kjo është një mazhorancë që nuk ka vullnet për të bërë një reformë reale në drejtësi. Nëse do të shihnim me kujdes, ka së paku rreth tre muaj që kur është miratuar ligji për organizimin në gjyqësor dhe nuk ka absolutisht asgjë të re, sepse nuk është në planet dhe objektivat e mazhorancës”

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, fajëson mazhorancën për vonesën e reformës në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, mazhoranca nuk ka vullnetin e duhur për këto reforma, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha flet për të vetëm pasi komentojnë ndërkombëtarët. Lidhur me pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme, Xhafa pohoi se pozicioni ligjor i këtij institucioni nuk mund të ndryshojë. Pra, sipas tij, kreu i akuzës nuk mund të kalojë nën varësinë e Ekzekutivit ashtu siç është diskutuar kohët e fundit nga eksponentë të ndryshëm të PD-së. Ai ka kundërshtuar më tej dhe qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pak ditë më parë Kushtetuesja rrëzoi nenin 107 të ligjit “Për procedurat tatimore” apo siç është quajtur ndryshe ligji i gjobave. Ky vendim nuk u mirëprit nga Kryeministri, i cili tha se Qeveria e tij do ta zbatojë atë, por ndërkohë paralajmëroi dhe reformimin e këtij institucioni.
Kritika
“Kjo është një mazhorancë që nuk ka vullnet për të bërë një reformë reale në drejtësi. Nëse do të shihnim me kujdes, ka së paku rreth tre muaj që kur është miratuar ligji për organizimin në gjyqësor dhe nuk ka absolutisht asgjë të re, sepse nuk është në planet dhe objektivat e mazhorancës. Mazhoranca dhe Kryeministri i këtij vendi flet për reforma në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë për atë në drejtësi, sa herë që do të kujtohen ndërkombëtarët”, - tha dje Xhafaj. Ndërkohë që, sipas tij, tashmë në zyrat e Kuvendit është Pakti Kombëtar për Drejtësinë, i cili është iniciuar nga PS për ato arsye që tashmë dihen dhe është mbështetur nga të gjitha forcat politike për vlerat që ai mbart. Lidhur me varësinë e Prokurorisë, Xhafaj sqaron se konturi kushtetues i Prokurorisë së Përgjithshme, i përfolur ditët e fundit, nuk mund të ndryshojë dhe se duhet të ndalen sulmet e Kryeministrit mbi Gjykatën Kushtetuese. “Është vendosur në Paktin për Drejtësinë dhe për të cilin ne kemi rënë dakord për hir të së vërtetës të dyja palët. Kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord për një dokument të përbashkët dhe është vendosur se cilët janë konturet dhe nuk mendoj se në këtë dokument të përbashkët tashmë, nuk ka ndryshim të pozicionit kushtetues që ka sot organi i prokurorisë brenda sistemit të drejtësisë”, - u shpreh Xhafaj. Ai theksoi se përgjegjësinë kryesore për vonesat e kësaj reforme i ka mazhoranca, sepse është pikërisht ajo që ka mjetet, por dhe përgjegjësinë politike dhe parlamentare që të sjellë projekte. “Është detyrë e mazhorancës, për këtë është votuar mazhoranca dhe për këtë e ka marrë përgjegjësinë politike, kushtetuese dhe institucionale”, - theksoi ai. Pak ditë më parë, kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kërkoi rifillimin e punës së nënkomisionit të Ligjeve, i cili është ngritur posaçërisht për Reformën në Drejtësi. Leskaj tha se PS është gati në çdo moment për të nisur me këtë reformë. Ndërkohë që deklaratës së saj iu kundërpërgjigj kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, i cili pohoi se edhe mazhoranca është gati në çdo moment për të nisur diskutimin. Sipas tij, brenda pak ditësh pritet të vijë drafti nga Ministria e Drejtësisë mbi të cilin do të fillojnë dhe konsultimet mes mazhorancës dhe opozitës.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›