E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, koalicion me partinë e romëve dhe të egjiptianëve

Meta garanton strehim, punësim dhe arsim për komunitetin rom dhe atë egjiptian
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi dje Marrëveshjen e Bashkëpunimit për koalicion në zgjedhjet e 28 Qershorit, me partinë Toleranca e Re e Shqipërisë, që përfaqëson dhe mbron të drejtat e komuniteti rom dhe egjiptian në Shqipëri. Marrëveshja e nënshkruar nga lideri i LSI, Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Toleranca e Re e Shqipërisë, Avdi Keçi synon respektimin e këtyre komuniteteve në vendin tonë. Në fjalën e tij pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Meta u shpreh se me këtë marrëveshje i jepet mundësia për herë të parë këtyre komuniteteve që të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Toleranca e Re, Behar Sadiku  tha se vetëm LSI ka në programin e saj mbështetje sociale dhe integruese të komuniteteve me ngjyrë. Kreu i LSI, e ka cilësuar një hap të rëndësishëm në politikën shqiptare nënshkrimin e marrëveshjes me Partinë Toleranca e Re, ku sipas tij një Shqipëri evropiane nuk mundet të jetë vërtetë e arrirë pa realizuar integrimin e pakicave në vendin tonë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një Shqipëri evropiane nuk mund të ngrihet duke u bazuar mbi përjashtimin, i cili për fat të keq është tepër prezent sot. Padyshim që strategjitë e bëra deri tani për integrimin e këtyre komuniteteve, për zgjidhjen e problemeve të mëdha sociale, që nga strehimi, arsimimi dhe punësimi, kanë mbetur në letër, nënvizoi Meta, duke shtuar se tashmë është koha për të integruar këto komunitete, këta qytetarë të vendit tonë si të barabartë, sepse vetëm përmes këtij procesi  emancipues dhe integrues, do të arrihen ato standarde evropiane, të cilat janë tepër evidente. Në këtë kontekst, Meta vuri në dukje se për mosarritjen e këtyre standardeve, përfshirë dhe integrimin e këtyre komuniteteve, vendi ynë është kritikuar vazhdimisht dhe nga raportet vjetore të Komisionit Evropian dhe shumë organizma të tjera ndërkombëtare. Marrëveshja e djeshme është konsideruar nga Meta si një hap tepër konstruktiv dhe pozitiv, duke i dhënë mundësinë kësaj force të re politike që të marrë pjesë në zgjedhje, që të marrë pjesë në një koalicion që do të garantojë të drejtat e këtyre komuniteteve, në një koalicion, i cili ka mendësi dhe vizion evropian për ta bërë konkrete dhe të prekshme Shqipërinë evropiane. Sipas kreut të LSI, Meta, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, nis dhe programi i kësaj force politike për ti dhënë fund përjashtimit të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri, pasi i jepet mundësia për herë të parë këtyre komuniteteve që të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Meta shprehu bindjen se kështu po krijohet mundësia për të qenë të përfaqësuar dhe në qeverisjen e ardhshme, duke mbrojtur vetë në radhë të parë, të drejtat e këtij komuniteti. Meta ka shtuar më tej se programet e forcës së tij politike si për komunitetin rom, si për komunitetin egjiptian dhe për pakicat e tjera në vendin tonë janë mëse të qarta prej kohësh, qëkurse ai ishte kryeministër. Sipas Metës, një nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit dhe me partinë Toleranca e Re, do të jetë pikërisht angazhimi për të pajisur me karta identiteti këto komunitete, që të realizohet e drejta e tyre për të votuar dhe për tu zgjedhur. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Partisë Toleranca e Re e Shqipërisë, Behar Sadiku ka deklaruar se kjo parti vjen si një forcë e re, si një alternativë e domosdoshme në një moment historik ku i jepet fund një herë e përgjithmonë diskriminimit racial. Sipas Sadikut, qëllimi kryesor i kësaj partie të re është integrimi në të katër pushtetet të këtij komuniteti, në pushtetin legjislativ, të qeverisjes, gjyqësor dhe atë të medias. Ne sot po bëjmë një akt civilizues duke lënë mënjanë atë tolerancë që prish status-quonë e varfërisë, të mjerimit dhe të poshtërimit duke fituar tolerancën e re drejt integrimit me dinjitet dhe pozicionimit në shoqërinë demokratike shqiptare, është shprehur Sadiku duke shtuar se ky akt mbështetet nga koalicioni me LSI, për vetë faktin se programi i saj tregon qartë një mbështetje sociale dhe integruese të komuniteteve me ngjyrë që sot vuajnë me dhimbje, jetën e përditshme duke patur probleme ekstra siç është strehimi, punësimi dhe arsimimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›