E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI kundër amendamentit të Berishës për Kodin Zgjedhor

09/04/2005  Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar amendamentet e Partisë Demokratike për Kodin Zgjedhor për bashkimin e votës së subjektit me të kandidatit, për të evituar një "megadushk". Kreu i LSI-së tha se "nuk do të mbështesim iniciativat e të gjithë atyre, të cilët kanë përgjegjësinë, në dëmtimin serioz të besimit të shqiptarëve te vota e lirë". Meta ka sulmuar PS-në dhe PD-në, të cilat ishin dhe hartueset kryesore të kodit zgjedhor. Sipas tij, "LSI dënon çdo përpjekje për të devijuar në mënyrë jokushtetuese dhe tërësisht të pamoralshme votat e qytetarëve shqiptarë, çdo tentativë për të kaluar nga Dushku i vogël në Dushkun e madh, si nga PS ashtu edhe nga PD, e cila kërkon ta shfrytëzojë këtë stil perfekt për të bërë të njëjtën gjë". Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, përfaqësuesi i PS-së, Elmaz Sherifi, e ka cilësuar si qesharake deklaratën e PD-së për amendim të Kodit Zgjedhor. Sipas tij, "është bërë një Kod me mirëkuptim të dy forcave politike dhe me asistencën e OSBE-ODIHR, ndërsa tashmë hidhet një tezë e re, që duket si propozimi për fuqinë prapavepruese të ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave. Këto janë formula që me gjithë mend të krijojnë humor". Sherifi, duke kundërshtuar nisëm e PD-së, thekosn se "nuk mund të ketë zgjidhje ashtu si i koncepton njëri apo tjetri, sepse kodi zgjedhor është një kod që e ka përcaktuar sistemin që bazohet te Kushtetuta, pra është një sistem i gërshetimit të mazhoritarit me proporcionalin dhe nuk mund të ketë absurditete të tilla që kush merr më shumë vota si individë të jenë dhe vota të partisë. Janë të ndara votat e individit me ato të subjektit", tha Sherifi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›