E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kërkon zyrtarisht afrimin e zgjedhjeve në qershor

09/04/2005  Ditën e hënë, opozita pritet të çojë në Presidencë kërkesën zyrtare për afrimin e datës së zgjedhjeve më datë 26 qershor. Sipas burimeve në PD mësohet se gjatë kësaj kohe, që pas përfundimit të tryezës, nënkryetari Bamir Topi ka zhvilluar takime me eksponentë të majtë, por edhe me Presidentin Moisiu për këtë çështje, por deri më tani nuk është arritur asgjë në këtë drejtim. Nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, shprehet se dërgimi i letrës në Presidencë është vetëm një formalitet zyrtar, pasi është vënë re një mungesë e vullnetit politik të mazhorancës për këtë çështje. Jo shumë kohë më parë partitë e opozitës u mblodhën në një tryezë, nga ku dolën me një qëndrim të përbashkët për afrimin e datës së zgjedhjeve. Pro afrimit të zgjedhjeve është shprehur dhe PSD-ja, parti në aelancë me PS-në. Opozita pretendon se zhvillimi i zgjedhjeve në muajt e nxehtë të verës do të prekte integritetin e tyre, për shkak se elektorati zhvillon pushimet. Nga ana tjetër infrastruktura e vendit nuk ofron kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve në këto muaj. Kërkesa e partive opozitare duket se ka hasur në kundërshtimin e PS-së, e cila ka deklaruar se zgjedhjet do të zhvillohen në datën e caktuar nga Kushtetuta, që i bie data 3 korrik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›