E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI kundër shtyrjes së zgjedhjeve, kërkon zgjidhje urgjente nga PD dhe PS

Xhufi: Shtyrja e zgjedhjeve, humbje e madhe për vendin
Mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve, shihet nga Lëvizja Socialiste për Integrim si një opsion i rrezikshëm për vendin, sepse sipas kësaj force, ky veprim do të zgjaste e do të rëndonte akoma më shumë problemet ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Si rrjedhojë, zëvendëskryetari i LSI, Pëllumb Xhufi u bëri apel dy partive të vjetra që të gjejnë një zgjidhje urgjente, duke theksuar edhe një herë se LSI, është e gatshme të bashkëpunojë për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që të shmanget shtyrja e tyre. LSI e konsideron shtyrjen e zgjedhjeve një opsion jo të mundshëm, sepse do të zgjaste dhe do të rëndonte akoma më shumë në problemet ekonomike dhe sociale dhe do të ngarkonte akoma më tutje klimën e ndezur elektorale politike në Shqipëri. Gjithashtu duam të kujtojmë që kjo zgjidhje duhet të bëhet urgjent këto ditë për arsye sepse ashtu siç u theksua në raportin e Komitetit Amerikan të Helsinkit një zgjidhje që do të bëhej nesër, qoftë edhe një zgjidhje e mirë nuk do të evitonte që zgjedhjet tona të konsideroheshin zgjedhje të cenuara., pohoi Xhufi. Ai theksoi se LSI do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë me 28 Qershor. Sipas Xhufit, Lëvizja Socialiste për Integrim jo në minutën e fundit, dhe jo në grahmat e fundit të Qeverisë Berisha por që në minutat e para të jetës së kësaj Qeverie të vitit 2005 në mënyrë zyrtare i ka kërkuar kryeministrit Berisha që ishte dhe bashkëfajtori për dështimin e zgjedhjeve të vitit 2005, që të realizonte parakushtet e domosdoshme që zgjedhjet e vitit 2009 të ishin vërtetë të lira dhe të drejta. Në mënyrë specifike ne i kemi kërkuar Berishës që të pajisen me karta identiteti të gjithë qytetarët shqiptarë, që kanë të drejtë vote, por fakti që jo vetëm në vitin 2006 që premtoi z. Berisha, por edhe sot në datën 5 Qershor të vitit 2009 pra vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, kjo Qeveri nuk i ka pajisur shqiptarët me karta identiteti, dhe kjo Qeveri gjithashtu mban përgjegjësinë për parregullsinë, të cilët janë vënë tashmë në dukje. Këto gjëra pra e ngarkojnë qeverinë Berisha me një përgjegjshmëri të veçantë dhe të patjetërsueshëm, vijoi Xhufi. Ai gjithashtu përmendi faktin se zgjedhjet në Shqipëri u bënë objekt i analizës së një organizmi prestigjioz amerikan, siç është Komiteti Amerikan i Helsinkit, i cili përbëhet nga përfaqësueses të dhomës së përfaqësueseve dhe senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësues të ekzekutivit dhe të organizmave prestigjioze ndërkombëtare. Është hera e dytë pas vitit 2004, që zgjedhjet në Shqipëri bëhen objekt dhe merren në analizë nga një organizëm i tillë. Kjo përbën dhe një provë të interesit dhe të kujdesit që SHBA kanë për procesin demokratik në Shqipëri dhe në veçanti për procesin zgjedhor. Por është provë gjithashtu e shqetësimit të SHBA se zgjedhjet në Shqipëri dhe po citoj këtu fjalët e bashkëkryetarit Hasting të këtij komiteti, zgjedhjet në Shqipëri pra vazhdojnë të jenë një pikë shumë e dobët e demokracisë shqiptare, pohon ai. Gjatë fjalës së tij, Xhufi u shpreh se, duke paralajmëruar rreziqet që sjell për Shqipërinë dhe rrethimi i ri i zgjedhjeve, Komiteti Amerikan i Helsinkit nxit Qeverinë dhe faktorët e tjerë politik që të gjejnë një zgjidhje sot, pasi siç thuhet në raportin e këtij komiteti, një zgjidhje e minutës së fundit edhe sikur të jetë e suksesshme do të prekte dhe do të cenonte integritetin e zgjedhjeve dhe do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë. Ai u ndal duke theksuar fort, se LSI ka denoncuar që në krye të gjithë procesin e Reformës zgjedhore, i cili u krye në mënyrë jo transparente, përjashtuese dhe gjithashtu jashtë institucioneve nga PD dhe PS. LSI ka denoncuar një kod elektoral, i cili bëri tentativën për të krijuar një sistem dy partiak në Shqipëri duke ngushtuar hapësirat demokratike, një tentativë e cila mund ta themi me plot gojën që ka dështuar plotësisht. Ne kemi denoncuar faktin gjithashtu që të njëjtit persona në Qeveri apo opozitë që kanë qenë përgjegjës për cenimin dhe dështimin e zgjedhjeve në vitin 2001 apo në vitin 2005, u ngarkuan nga krerët e partive të tyre për të bërë Reformën Zgjedhore. Ndaj duke thirrur para përgjegjësisë në radhë të parë Qeverinë e z. Berisha, duke u bashkuar me vërejtjet por edhe paralajmërimet të bëra së fundi nga Komiteti Amerikan i Helsinkit, por edhe para disa minutash nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Withers.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›