E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po Koha për Pendim, kur do të jetë??!

Nga Besi BEKTESHI
Në këtë fushatë elektorale ka disa lloje sloganesh, por që në përgjithësi janë me ndryshim dhe kanë në përgjithësi në fillimin e tyre kohën...!! Shqipëria po ndryshon dhe po ashtu edhe Koha për Ndryshim që në përgjithësi janë edhe kryesoret e kësaj përballje elektorale në vitin 2009-të. Ka vite dhe vite që në një farë mënyre këtu sillet edhe gjigando-mania e politikës shqiptare, e cila ka harruar një gjë tepër interesante. Ka veprim dhe ka ndryshim dhe ka edhe suksese por ka edhe akuza në anën tjetër që në përballjet politike janë kudo. Por nuk ka një kohë.. e cila duhet të jetë dhe duhet të vijë. Kur do të arrijë Koha për Pendim në Shqipëri? Ashtu sikundër nuk kam dëgjuar asgjë komunist të nomenklaturës së lartë komuniste të pendohet, të thotë se kemi qenë njerëz që kemi vrarë dhe që sot na vret ndërgjegjja. Ose që të shprehen se kanë bërë keq me veprimet e tyre politike dhe iniciativat e tyre diabolike prej të cilave e kanë pësuar mijëra e mijëra njerëz...! Ashtu nuk kam dëgjuar dhe nuk besoj se do të dëgjojmë edhe sot e kësaj dite, politikanë që të pendohen për ato që kanë bërë përgjatë këtyre 18 viteve të një demokracie plot me lëvizje të forta që kanë bërë të ketë shumë e shumë tragjedi morale dhe njerëzore, por edhe fatkeqësi të mëdha kombëtare. Nuk doli një prej komunistëve të mëdhenj të dikurshëm të pendohet dhe deklarojë se kemi vrarë njerëz dhe kemi bërë faj. Nuk kam dëgjuar as Ramizin dhe as Nexhmijen. Nuk e deklarojnë as në grykët të varrit ku janë, dhe me sa duket do të shkojnë, sepse një ditë do të shkojnë në varr të pa penduar, për krimet që kanë bërë. Shkojnë me ndjesinë se e kanë pasur mirë dhe se mund të kenë bërë gabime, por jo faje!! Është e tmerrshme....!! Nuk pendohen se kanë vrarë politikisht dhe nuk pendohen se kanë internuar apo lënë pa bukë në bark, mijëra e mijëra vetë. Nuk pendohen se e kanë ndarë këtë vend nga bota për dekada dhe e kanë lënë të izoluar në burgun-popull më të madh të botës. Nuk pendohet as Nexhmija dhe as Ramizi, por nuk pendohen as Sekretarë Partie dhe as Kryetar Komiteti, por edhe as anëtarë të KQPPSH-së dhe as Anëtar të Byrosë. Jo mor vlla nuk pendohen! Nuk pendohen as spiunët e sigurimit dhe as persekutorët në lagje e kudo. Nuk pendohen dhe nuk hapen, që të pranojnë fajin e madhe kolektiv dhe individual. Përkundrazi janë ricikluar kudo. Nuk do të pendohen edhe sot ato që politikisht i kanë zëvendësuar.
Nuk janë penduar ato që kanë vrarë në vitet 90-të dhe 91. Nuk janë penduar ata që vranë në vitin 92, dhe nuk janë penduar ato që kanë bërë kontrabandë dhe thyerje të mëdha të embargos që nga vitet 94-96. Nuk janë penduar as ata që përgatitën të gjitha firmat rentiere dhe që shumica ishin korifenj të majtë dhe nuk pendohen as ato korifenj të së djathtës, që lejuan të humbin lekët e mijëra shqiptarëve. Nuk është penduar askush pse ra shteti në 97-tën, dhe nuk janë penduar ato që e hodhën shtetin me dhunë. Nuk është penduar asnjë për kolapsin tragjik ekonomik dhe financiar të viteve 97-99. Nuk është penduar askush për të gjitha vjedhjet dhe manipulimet e zgjedhjeve përgjatë viteve 96-2005 dhe për tragjedi si ajo e Karaburunit dhe Gërdecit. Nuk janë penduar për mijëra të vrarë kufijve dhe të mbytur po ashtu. Nuk është penduar askush për fatkeqësitë madhore që nuk kanë rreshtuar së rëni mbi një popull që në politikën e tij nuk ka as të penduar, por nuk ka as të dënuar. Po, nuk ka asnjë të dënuar normal. Ka të akuzuar, por që nga të akuzuar po ngrihen në deputetë dhe në njerëz të përfaqësimit popullor. Tani jemi përpara 28 qershorit. Ka një sistem të nëndheshëm të prishjes së votimit dhe të mbetjes së njerëzve pa kartat e ID. Ka një qetësi të momentit e cila mund të prishet në drekën e 28 qershorit. Ka një sistem të fëlliqur dhe jo fjalaman të dështimit të zgjedhjeve. Në dy drejtime. Në atë të përfitimit të fitores dhe në drejtimin e sigurisë që po humben dhe të shpalljes së dështuar të sistemit të kartëzimit. Janë ato që nuk pendohen, që përgatisin të tilla sisteme dhe skenare. Sepse më pas pikërisht nuk pendohen. Duhet uruar që të mos realizohen, megjithëse çdo skenar i bijve dhe pasuesve të atyre që kanë bërë krime dhe nuk janë penduar deri më tani është vënë në jetë, duhet thënë zoti na ruajt nga të tillë jo të penduar. Janë po ato të dikurshmit, por veprojnë sot në demokraci.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›