E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI legalizimi me çmimin e tokës bujqësore

09/02/2005  Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar si të dështuar ligjin për legalizimin e zonave informale. Sipas kryetarit të Grupit parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, "shteti dështimin e ligjit kërkon t’ja faturojë banorëve të zonave informale, duke i kërcënuar ata me prishje shtëpish apo shkatërrime biznesesh. Shteti i mashtroi banorët, sepse atyre i ishte premtuar legalizim brenda mundësive të tyre ekonomike". Gjithashtu, Brokaj ka kundërshtuar dhe çmimin e përcaktaur nga komiteti shtetëror i kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas tij, "ligji ka fiksuar se çmimi i tregut do të jetë dhe çmimi i legalizimit, pavarësisht se ndonjë deputet i PS-së përpiqet të mashtrojë për qëllime elektorale se çmimi do jetë më i ulët. Deputetët nuk mund të dalin mbi ligjin që kanë votuar vetë. Ky është kulmi i papërgjegjshmërisë së shtetit ndaj qytetarit". Ndërkohë që nga ana tjetër kjo forcë politike shprehet e gatshme të mbrojë banorët e këtyre zonave, ashtu siç bëri gjatë miratimit të ligjit në Kuvend. Sipas LSI-së, "banorët meritojnë legalizim të menjëhershëm dhe çmimi i legalizimit duhet të jetë çmimi për metër katror i tokës bujqësore".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›