E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI nis zgjedhjet e kryetarëve

02/02/2005  Në Pogradec është zgjedhur, me formulën "një anëtar, një votë", Avni Myrte

Lëvizja për Integrim nis zbatimin konkret të platformës së zgjedhjeve

Lëvizja Socialiste për Integrim ka fillur dje procesin e zgjedhjes për drejtuesit e partisë. Duke zbatuar në praktike parimin "një anëtar, një votë", LSI ka nisur nga qyteti i Progradecit zgjedhjen e strukturave drejtuese të kësaj partie. Procesi do të përfundojë në fillim të marsit, kur do të zgjidhet dhe kryetari i LSI-së, që do të votohet nga i gjithë elektorati. Dega e LSI-së në Pogradec me 470 anëtarët e zonës nr. 84 ka zhvilluar zgjedhjet e Komitetit Drejtues të zonës, si dhe të kryetarit të KD-së. Avni Myrte ka marrë dje detyrën e kreut të parë të LSI-së të votuar nga elektorati. Lidhur me funksionimin e parimit, zëdhënësi politik i LSI-së, Sokol Dervishaj, në një prononcim për "Metropol", tha se, "për herë të parë në Shqipëri, LSI-ja është forca politike që po zbaton në realitet këtë parim". Sipas tij, "partitë e tjera tashmë, edhe pse të vjetra në politikën shqiptare, po ngelen në kuadër të demagogjisë. Partia Socialiste në kongersin e dhjetorit të vitit 2003 u përça për shkak të mospranimit të këtij parimi. Ndërsa Partia Demokratike e përdor për demagogji elektorale në mënyrë që të ndryshojë imazhin e prishur nga votimi në rresht të strukturave të saj".

Zbatimi

Demokracia e drejtpërdrejtë për strukturat e LSI-së do të vijojë në të gjithë vendin gjatë muajit shkurt, për të përfunduar në fillim të muajit mars. Sipas zëdhënësit Dervishaj, "ky proces do të zbatohet në 100 zonat elektorale të vendit. Aplikimi i parimit "një anëtar, një votë" nga LSI-ja, do të kryhet në të gjitha strukturat vertikale, deri në nivel zone, duke i dhënë një fizionomi të qartë të një partie me karakter elektoral, ndryshe nga forcat e tjera. Gjatë kësaj kohe do të zhvillohet fushatë e kandidimit të kryetarit të LSI-së, i cili do të shpallet gjatë Konventës elektorale të prillit". Dervishaj thekson se përzgjedhja nga baza e kreut të LSI-së do të bëhet mbështetur jo vetëm mbi personalitetin politik dhe profesional, por "mbi bazë të një programi të qartë drejtimi dhe qeverisës, i cili do të përfshijë jo vetëm anëtarësinë e LSI-së, por gjithë popullin shqiptar".

Programi

Programi qeverisës i LSI-së do të hartohet në bashkëpunim me kryetarin e partisë, kryetarëve të Komiteteve të Politikave. Lidhur me bashkëpunimin me forca të tjera të politikës, LSI-ja ka bërë të ditur se do të jetë e gatshme që programin e saj ta ballafaqojë dhe debatojë dhe me alternativat e konkurrentve të tjerë politikë, nëse do të ketë platforma të tilla të përafërta. Aktualisht, LSI-ja po përgatit të gjitha strukturat e saj që të dalë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme, duke përjashtur çdo mundësi bashkëpunimi apo aleanca me forcat e tjera politike

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›