Ndoka program për bashkëpunimin
02/02/2005 Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, tha dje se ka hartuar një projekt për bashkëpunimin me Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Ky projekt-bashkëpunim synon krijimin e një klime të re politike mes dy forcave opozitare dhe është një përpjekje për fitoren e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare", tha Ndoka. Sipas tij, dokumenti, i cili do të jetë gati pas rreth një jave, trajton çështje që lidhen me bashkëpunimin mes dy partive të opozitës. Marrëveshjet politike, angazhimi dypalësh në nivelet e dyta paszgjedhore, si dhe mbështetje reciproke për kandidatët e dy partive, janë disa pika të platformës së bashkëpunimit të hartuar nga Ndoka. "Por në këtë platformë janë dhe disa sugjerime për mënyrën e qeverisjes, si dhe alternativat që duhet të ofrojë opozita për sa u përket ngritjes së pagave, pensioneve si dhe problemeve të tjera që e shqetësojnë vendin", tha Ndoka.