Opozita bojkoton seancën: Deputetët nuk janë njoftuar në mënyrë zyrtare
Partia Socialiste ka bojkotuar seancën e djeshme parlamentare. Opozita me pretendimin e mosinformimit në mënyrë zyrtare, ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e radhës. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka paralajmëruar paraditen e djeshme bojkotimin nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke shfaqur arsyet e bojkotimit. Sipas Leskaj, deputetët janë njoftuar verbalist për seancën e djeshme parlamentare dhe jo në mënyrë zyrtare. Është absurde. Na njoftuan me mesazh për seancën.
U njoftuam verbalisht për seancën. Kështu nuk mund të funksionojë Kuvendi, nënvizoi Leskaj, duke shtuar se seanca zhvillohen zakonisht të enjteve paradite. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kuvendit të Shqipërisë, ku nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka cilësuar tërësisht të pavërteta deklaratat e kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Njoftimi për zhvillimin e kësaj seance plenare është bërë 2 ditë përpara duke vënë në dijeni sekretarët e të gjitha grupeve parlamentare. Ky rend dite është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë. Për datën dhe rendin e ditës, deputetët janë lajmëruar edhe përmes televizionit publik shqiptar, sqarohet në deklaratën për shtyp të Kuvendit. Në vend të shpikjes të fakteve të paqena dhe insinuimit për të fshehur vullnetin e munguar për miratimin e ligjit shumë të rëndësishëm për gjykatat administrative, i kërkuar në mënyrë legjitime nga biznesi shqiptar dhe jo vetëm ai. I bëjmë thirrje Kryetares së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të marrë përgjegjësitë politike dhe institucionale për të braktisur rrugën e bojkotit të Kuvendit dhe për të miratuar këtë ligj të rëndësishëm, pjesë e reformave të mëdha që po ndërmerren. Duke miratuar këtë ligj organik me shumicën e kërkuar prej jo më pak se 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë, opozita parlamentare ka mundësinë më të mirë për të garantuar çdo biznesmen që kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit tonë se do të jetë i mbrojtur ndaj çdo akti arbitrar, theksohet në deklaratë.