LSI vijon me prezantimin e kandidaturave në Tiranë
24/03/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, po zhvillon një tur takimesh në njësitë e kryeqytetit. Në këto takime, kreu i LSI-së po shoqërohet edhe nga kandidatët e kësaj partie për deputetë. Dy ditë më parë, në njësinë numër 1 të Tiranës, Meta ka prezantuar Sokol Nakon, si kandidat për deputet. Dje në shoqërinë e kreut të LSI-së në zonën e Saukut ka qenë Edmond Panariti, i cili mësohet se do të jetë kandidat në këtë zonë. Në një takim me banorët e kësaj zone, Meta i ka kërkuar që ditën e zgjedhjeve ata të votojnë për LSI-në dhe kandidatët e saj, në mënyrë që kjo votë të ndryshojë fatet e vendit. Gjithashtu, Meta ka paraqitur disa pika të programit të partisë, në të cilat do të synohet që të punohet për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve. Aktualisht strukturat e kësaj partie po zhvillojnë përzgjedhjen e drejtuesve në bazë të parimit "një anëtar, një votë" për ta përmbyllur si procedurë këtë fundjavë me zgjedhjen e emrit të kryetarit të partisë.