E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS mbledh komisionet për platformën elektorale

24/03/2005  Partia Socialiste do të fillojë punën për të realizuar platformën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Pas përgatitjes së strategjive të veçanta nga 14 komisionet e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së, një grup pune do të përgatisë platformën përfudimtare në bazë të raporteve të sjella nga këto komisionet. Pas diskutimeve dhe thithjes së mendimeve nga shoqëria civile, platforma elektorale e PS-së, ku do të bazohet dhe zhvillimi i fushatës elektorale, do të synojë të jetë sa më e kapshme për elektoratin shqiptar. Pikat, në të cilat do të shikohen si primare në platformën socialiste, mësohet të jenë çështjet të karakterit social. Në hartimin e strategjisë elektorale, socialistët do të synojnë që të jenë sa më pranë problemeve të elektoratit shqiptar. Kështu, do të synohet të ulet akciza për çmimin e naftës për bujqësinë. Reformimi i sistemit arsimor dhe përmirësimi i infrastrukturës shkollore do të jetë një pikë tjetër e strategjisë. Në këtë platformë nuk do të mungojë dhe sjella e një fushate zgjedhore me vizion evropian që mazhoranca aktuale do të synojë të përgatisë në ditët në vazhdim. Pas hartimit të strategjisë elektorale do të jetë kongresi i fundprillit, i cili do të japë dhe miratimin e kësaj strategjie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›