E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano prezanton në NATO reformat e vendit

24/03/2005  Kryeministri shqiptar takoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shefer

Kryeministri Fatos Nano po zhvillon një vizitë në selinë qendrore të NATO-s në Bruskel, ku do të raportojë mbi gjendjen e reformave në Shqipëri dhe rolin e saj në stabilitetin e rajonit. Gjatë kësaj vizite, Nano do të takojë një sërë përfaqësues të lartë të këtij institucioni për t'i informuar mbi gjendjen e Shqipërisë në realizimin e reformëve për integrimin e vendit në NATO. Kryeministri është takuar dje me sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jaap de Hop Shefer, ku të dy zyrtarët kanë diskutuar për çështjet që shqetësojnë aktualisht vendin dhe rajonin tonë. Në axhendën e Kryeministrit është parashikuar dhe prezantimi i situatës në vend që Nano do të bëjë në Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s, të cilët janë mbledhur në Bruksel. Në këto takime, kreu i Ekzekutivit shqiptar pritet të nxjerrë në pah rolin e Shqipërisë për sigurinë e rajonit, si dhe përpjekjet e shtetit shqiptar për të luftuar fenomene të tilla si krimi i organizuar, trafiqet, korrupsionit etj. Raportimi i kreut të qeverisë shqiptare duket se do të luajë një rol të rëndësishëm edhe për Samitin e radhës, i cili do të mbahet në vitin 2006, nga ku do të vendoset dhe për fatin e anëtarësimit të vendit tonë në strukturën e NATO-s. Një nga pikët më të rëndësishme, në të cilët do të bëhet prezantimi i Shqipërisë në këtë Samit do të jetë Karta e Adriatikut, ku Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, janë palë për të garantuar sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, Nano do të zhvillojë dhe një vizitë në Mbretërinë e Belgjikës, ku do të takohet me Kryeministrin Guy de Verhofstade. Në këtë takim do të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe në fusha të ndryshme. Në veçanti, do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me nxitjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, të cilat vitin e fundit kanë shënuar rritje të ndjeshme, si dhe për mbështetjen e Belgjikës në rrugën e integrimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›