E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI zbret për fushatë në zonën e kryetarit të Partisë Socialiste

30/11/2004  Krerët e LSI-së deklarojnë në Tepelenë se Nano e ka të pamundur të fitojë sërish në zonën e tij elektorale, prandaj ka zgjedhur Sarandën për të kandiduar në zgjedhjet e 2005. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili dhe nënkryetari Pëllumb Xhufi, kanë zgjedhur zonën elektorale të Kryeministrit për të shfaqur programin e tyre elektoral. Në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti, dy funksionarët e lartë të LSI-së kanë vendosur gishtin për varfërinë e këtij qyteti, duke mos harruar të sulmojnë drejtpërdrejt Kryeministrin për lënien pas dore të tij. "Varfëria ekstreme është një fenomen mbizotërues në këtë rreth, ku nuk i është hapur asnjë lloj perspektive nga pushtetarët aktualë. Ndonëse kjo zonë ka si deputet Kryeministrin aktual, asnjë shfaqje minimale e interesit të pushtetit nuk është vërejtur në Tepelenë, dhe populli i saj, me të drejtë, është më i zhgënjyeri me deputetin e vet si askush tjetër, pasi ai është njëkohësisht dhe Kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste", tha Vasili. Më tej, ai shtoi se si pasojë e këtij zhgënjimi të madh të socialistëve tepelenas, Nano ka vendosur ta lerë vendin ku është zgjedhur si deputet për dy legjislatura rresht dhe të zgjedhë Sarandën. "Kjo pakënaqësi ka influencuar dhe në publikimin e asaj që Nano do të kandidojë në Sarandë dhe jo në Tepelenë", tha Vasili. Krerët e LSI-së në Tepelenë, Neshat Hadëri dhe Avdyl Ruçi, në takimin e djeshëm, janë shprehur se mbështetja e LSI-së në qyetin e Tepelenës, nuk ka kaluar pa presione nga pushtetarët e Tiranës dhe pushtetarët lokalë të këtij rrethi. Sipas tyre, të pakënaqurit që duan të kalojnë në radhët e LSI-së, jo pak herë janë kërcënuar me vendin e punës. Gjithsesi, ata shtuan se këto kërcënime nuk kanë ndikuar aspak në vendimin e shumë tepelenasve, disa prej tyre edhe ish-anëtarë të PS-së, të kalojnë në radhët e LSI-së. Në fund të takimit, komisioni nismëtar zgjodhi dhe një kryesi, që do të organizojë dhe takimin e madh të LSI-së në këtë rreth. Më tej, krerët e LSI-së vazhduan me takime në Himarë, Sarandë dhe Ersekë. Takimet janë në kuadrin e fazës së dytë të konstituimit të degëve të partisë më të re në Shqipëri. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, ka deklaruar se LSI kërkon të jetë partia që do të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›