E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mos u merrni me rreshterë, e kapterrë por me gjeneralë

07/05/2005  Moisiu nënshkruan marrëveshjen me Sollakun dhe Çekun

Prokurori i Përgjithshëm dhe kryetari i KLSH-së kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre, për hetimin e dosjeve të përbashkëta. Në fjalën e tij, Moisiu u ka kërkuar Theodhori Sollakut dhe Robert Çekut që të mos hetojnë dhe dënojnë personat e rendit të dytë në aktet kriminale, por të shkojnë dhe më tej. “Të mos merren me rreshterë dhe kapterrë, por të merren me gjeneralë! Domethënë, me ata që janë në krye të punëve, sepse në qoftë se ata janë rigorozë dhe strikt në kërkesë të zbatimit të ligjit dhe të rregullit, sigurisht, rreshterët dhe kapterrët nuk kanë çfarë të bëjnë”, theksoi Moisiu. Presidenti ka këmbëngulur në bashkëpunimin mes të dy palëve, në mënyrë që dosjet të zbardhen deri në fund dhe të mos mbesin çështjet në mes.

Bashkëpunimi

“Unë pres që këto dy institucione të rrisin bashkëpunimin në mënyrë të tillë, që materialet e paraqitura për ndjekje penale të kujtdoqoftë që bën shkelje, të mos mbeten në sirtare, por të shkojnë deri në fund", tha Presidenti. Gjithashtu, Moisiu u shpreh se dy institucionet e rëndësishme kanë detyrën thelbësore të zbulimit dhe të vënies para përgjegjësisë të shpërdoruesve, abuzuesve dhe të korruptuarve në drejtim të fondeve buxhetore dhe në tërësi. “Nënshkrimi i kësaj aktmarrëveshjeje bëhet me qëllim që këto dy institucione, dy kolona të luftës kundër korrupsionit, të rrisin mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë për detyrat që u ngarkon Kushtetuta dhe ligji”, tha Presidenti Moisiu. Ndaj, ai u kërkoi zbatimin e ligjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të jenë më konkretë dhe më të vendosur, më agresivë, të punojnë pa bujë dhe të rrisin ndjenjën e përgjegjësisë te drejtuesit shtetërorë, se paratë e popullit duhet të përdoren në destinacion dhe sipas rregullave në fuqi.

Qëndrimi

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Moisiu i ka qëndruar sërish mendimit se zgjedhja e Robert Çekut në krye të KLSH-së ishte një veprim mëse i drejtë. Kreu i shtetit vlerësoi punën e deritanishme dhe kërkoi një angazhim më të madh në të ardhmen. “Me ardhjen në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit të zotit Robert Çeku, objekti, puna dhe rezultatet kanë filluar të ndryshojnë dukshëm. Shpresoj që kjo gjë të vazhdojë dhe më tej me rezultate pozitive”, tha Moisiu. Pak muaj më parë, zgjedhja e ish-deputetit të PR-së në krye të KLSH-së ka sjellë replika të ashpra mes Presidentit dhe kreut të PD-së, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›