Natale, zgjedhjet e 3 korrikut rruga për në BE
07/05/2005 Zgjedhjet 3 korrikut do të jenë testi dhe shanci që Shqipëria duhet të kalojë më sukses për të vazhduar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Këto deklarata janë përsëritur dhe vazhdojnë të theksohen nga përfaqësues të BE-së në adresë të vendit tonë. Sipas përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Karlo Natale, zgjedhjet duhet të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare dhe duhet bërë shumë punë në fusha të tjera kyçe, kundër korrupsionit, trafikut të organizuar, si dhe kërkohet progres për të kaluar tranzicionin politik të vendit. Sipas Natale, “Shqipëria po punon shumë për integrimin e saj në BE dhe ne e mbështesim, por duhet punuar më tepër. Zgjedhjet e sivjetshme duhet të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare dhe duhet bërë punë në fusha të tjera”. Njëkohësisht dhe shef i sektorit të politikave ekonomike, të delegacionit të KE, Natale, thotë se legjislacioni shqiptar në disa fusha është i njëjtë me atë të BE-së, por për zbatimin e tij shpesh mungon vullneti politik i faktorëve dhe aktorëve në vend.