E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Maxhoranca po bën presion ndaj Prokurorisë



Partia Socialiste dënon presionin e maxhorancës në dëm të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, deklaroi se eksponentë të maxhorancës po tentojnë që të pengojnë Prokurorinë në punën e saj për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes së Gërdecit. “Ky presion bëhet bash në momentin kur politikës vendimmarrëse i kërkohet të heqë barrierat e imuniteteve klasike dhe në momentin kur bashkësia ndërkombëtare kërkon pa ekuivok nga politika që të mbështesë organet e drejtësisë e jo t’i shantazhojë ato për të dekurajuar nisma, të cilat janë të mirëpritura në funksion të një drejtësie të barabartë për të gjithë. Ne e konsiderojmë hetimin për ngjarjen e Gërdecit si jetik për besueshmërinë e organeve të hetimit e të gjykimit dhe jemi të angazhuar për t'i krijuar Prokurorisë së Republikës kushtet e nevojshme për të bërë punën e pakushtëzuar nga politika e deklaratave. Prokuroria duhet të marrë të gjithë kohën dhe hapësirën e nevojshme për ta hetuar imtësisht këtë ngjarje si edhe një sërë skandalesh të tjera, për të cilat presim rezultate konkrete e të pavarura prej gjykimeve politike. Në këtë kontekst PS mbështet pa asnjë kusht punën e Prokurorisë dhe pa asnjë kusht do të votojë pro heqjes së imunitetit të çdo personi me imunitet në këtë shtet për të cilin organi i akuzës do të kërkojë të hetojë lirisht”, - tha Manjani.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›