E Hënë, 2 Nëntor 2026

LZHK: Do bëjmë qeveri si Ahmet zogu

28/05/2005  Leka deklaron se do rikthejë dënimin me vdekje dhe pronat

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar Leka I Zogu ka prezantuar dje përpara qindra simpatizantëve, që kishin mbushur sheshin “Skënderbej”, 100 kandidatët që do të garojnë nën siglën e kësaj lëvizje. Nën slloganin “Ne bëjmë shtet”, drejtuesit e LZHK-së i kanë bërë thirrje të pranishmëve të votojnë për alternativën e kësaj lëvizjeje, duke premtuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve në të gjithë botën, rivendosjen e ligjit, duke aplikuar edhe dënimin me vdekje, kthimin dhe kompensimin e pronave etj.

Zogu

Kryetari i Lëvizjes Leka I Zogu tha në fjalën e tij se qeverisja e LZHK-së synon të rikthejë edhe një herë suksesin që ka pasur përpara 80 vjetëve, Ahmet Zogu në formimin e shtetit. “LZHK premton të bëjë shtet, si vazhdimësi e shtetit që ka bërë im at. Që shqiptarët të shkojnë lirisht kudo në botë me pasaportën e vendit të tyre. Qeverisja jonë premton rend dhe qetësi, shkëputjen nga monopolet dhe korrupsioni qeveritar, garantimin e pronës private. Ne premtojmë një shtet modern, i cili respekton qytetin. Ne e kemi detyrë shoqërore t’i sigurojmë shqiptarëve punë dhe mirëqenie”, tha Leka Zogu. Kryetari i LZHK shtoi se shqiptarët do të dinë për këtë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme dhe u shpreh optimist për fitoren e lëvizjes që ai drejton në zgjedhjet parlamentare.

Dënimi me vdekje

Në programin e saj për rivendosjen e ligjit, LZHK parashikon edhe vendosjen e dënimit me vdekje. Drejtori i fushatës në këtë lëvizje, Dashamir Shehu, tha se LZHK Leka I Zogu është një lëvizje që di të bëjë shtet, sepse në krye të saj është vetë pretendenti për fron Leka Zogu. “LZHK është këtu për të vënë në vend dinjitetin e shtetit me çdo kosto, qoftë edhe duke aplikuar dënimin me vdekje. LZHK është këtu për t’i kthyer shqiptarëve dinjitetin, ashtu si Mbreti Zog ia ktheu 80 vjet më parë. Ne kemi zgjidhjen e çështjes çame, dhënien e pavarësisë së Kosovës pa kushte, partneritetin me të gjitha organizmat perëndimore”, tha Shehu. Sipas tij, qeveria e LZHK Leka I Zogu, garanton luftën ndaj trafikut dhe korrupsionit që ka pushtuar qeverisjen. “Sepse ne bëjmë shtet dhe kemi treguar se dimë të bëjmë shtet”, tha Shehu. Në tubimin e djeshëm e morën fjalën edhe drejtues të tjerë të LZHK-së, të cilët u shprehën të sigurt në fitoren e kësaj lëvizjeje në zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i PLL, Ekrem Spahia, gjatë fjalës së tij kujtoi fjalët e Presidentit kosovar, Ibrahim Rugova, i cili, sipas tij, gjatë një takimi është shprehur se Shqipërinë mund ta nxjerrë nga kriza vetëm fitorja e Leka Zogut. Spahia tha se ashtu si në Bullgari, ku fitoi lëvizja monarkiste, edhe në Shqipëri LZHK Leka I Zogu do të arrijë të formojë qeverinë pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›