La Toya Jackson: Tim vëlla e kanë vrarë
Në familjen e Michael Jackson janë të shumtë ata që besojnë se fati përfundimtar i njeriut të tyre të dashur fsheh shumë mistere, madje më shumë se kaq, fsheh ndoshta edhe një akt të mundshëm kriminal. Një nga personat që i është ndodhur më pranë yllit të popit, është e motra, La Toya Jackson. Kjo ishte arsyeja pse mjekët ia kërkuan asaj që të vendoste firmën në certifikatën e vdekjes së të vëllait, çka ajo e bëri me zemër të thyer e me lot në sy. Për të, Michael ishte një njeri i vetmuar, i izoluar dhe pre e hipokritëve që i qëndronin pranë, qëllimi i së cilëve ishte vetëm zhvatja dhe rrjepja e parave. Pikërisht pas vdekjes së dyshimtë të së vëllait, ajo ka ngritur zërin dhe ka akuzuar një grup njerëzish që e shihnin këngëtarin vetëm si "një makinë parabërëse". Sipas saj, ishin pikërisht këto "thithëlopa" që e larguan nga familja dhe miqtë e vërtetë, duke e detyruar të vepronte shpesh kundër vullnetit të tij, siç ishte edhe firma e fundit që ai hodhi për mbajtjen e 50 koncerteve në "London 02 Arena". Ajo është e bindur që i vëllai është detyruar të pinte drogë për t‘u shndërruar në një njeri të varur dhe të bindur, në një vegël në duart e tyre. Michael është shtrydhur në mënyrën më të jashtëzakonshme e të pamëshirshme dhe pikërisht këta njerëz, sipas së motrës, e çuan mitin e popit drejt një vdekjeje të parakohshme e shumë të dyshimtë. Hetimet e fundit nuk përjashtojnë që Michael të jetë vrarë. Megjithëse përfundimet e autopsisë do të bëhen publike vetëm pas disa javësh, kjo nuk do të thotë se motra e hidhëruar dhe e shqetësuar ka ndenjur duarkryq. Ajo po kryen hetime personale për të vërtetuar atë që beson, pra që i vëllai është pre e një vrasjeje. Ka kryer një autopsi personale dhe sapo ka shtënë në dorë përgjigjen e mjekëve, që për momentin po e mban të fshehtë, por që thotë se do ta publikojë pas daljes së rezultateve të autopsisë zyrtare. Megjithatë, sipas disa burimeve, në autopsinë e bërë me porosi të së motrës, në qafën e Michael janë gjetur 4 vrima të mëdha gjilpërash. Kur flet për të vëllanë, La Toya nuk mund t‘i mbajë lotët: "E kanë vrarë. E kam ndjerë që në fillim që kjo nuk ishte një vdekje aksidentale, por një vrasje me paramendim, një rezultat i veprimeve të përllogaritura mirë më parë. Ai ishte vazhdimisht i rrethuar nga njerëz të ligj. Michael ishte shumë i dashur dhe ata që i qëndronin pranë përfituan nga sjelljet e tij të mira e bujare. Një muaj më parë i thashë se mund të vdiste para se të kryente koncertet, sepse për njerëzit që kishte pranë interesat e tij personale ishin të parëndësishme. Michael kishte një vlerë mbi 1 miliard dollarë dhe kur dikush ka një vlerë të tillë, ka gjithmonë nepërka të uritura dhe lakmitare që i qëndrojnë pranë për t‘i thithur çdo para deri në qindarkën e fundit. Dhe Michael, fatkeqësisht, kishte më shumë vlerë i vdekur, sesa i gjallë", thotë e motra me lot në sy. Ajo është e vendosur që të nxjerrë të vërtetën për ikjen e parakohshme të Michael. Për këtë rrëfen detaje të padëgjuara më parë brenda shtëpisë ku jetonte i vëllai, në Beverly Hills, të cilën e kishte marrë me një qira mujore prej 120 mijë dollarësh. Sipas saj, ai nuk u gjet në shtrat, siç është thënë në versionin zyrtar, por në dhomën e gjumit të mjekut të tij, doktor Conrad Murray, i cili "u zhduk" nga spitali kur La Toya nisi hetimin e saj personal për shkaqet e vdekjes. Ajo tregon edhe për detajet prekëse kur iu desh që t‘i shoqëronte nipërit për të parë të atin për herë të fundit. E bija vendosi në kyçin e dorës së të atit një varëse që e mbante prej kohësh në qafë. "Në sytë e fëmijëve kishte dhimbje dhe dashuri për njeriun që kishte dalë njëherë e përgjithmonë nga jetët e tyre dhe që deri atëherë kishte qenë më i dashuri për ta", rrëfen La Toya. Nga të gjithë fëmijët Jackson, ajo ka ngjashmërinë më të madhe fizike me këngëtarin e ndjerë. Edhe mënyra se si flet dhe komunikon është thuajse e njëjtë me atë të Michael dhe sikundër i vëllai, u është nënshtruar shumë operacioneve plastike që e kanë shndërruar tërësisht. Por ajo ka bërë edhe gjëra të tjera në jetë, veç këngëtares. Prej kohësh ka marrë mësime në çështjet e hetimeve dhe detyrave të policëve dhe vazhdon të bëjë punë vullnetare në disa stacione policie. Kjo është arsyeja që vdekjen e të vëllait, veç të tjerash, e ka marrë edhe si një sfidë profesionale. La Toya, që ka kënduar dikur, madje ka pasur disa hite me të vërtetë të suksesshme, u prish me klanin "Jackson" në vitet ‘80, pasi në një libër ishte shprehur se Michael ishte pedofil dhe fajësonte të atin që i kishte edukuar të ishin arrogantë dhe të arrinin synimet me çdo kusht. Megjithatë, më vonë ajo ndryshoi qëndrim dhe u shndërrua në personin e vetëm që bënte përpjekje maksimale për të mbajtur familjen të bashkuar. Para pak kohësh u divorcua me shumë bujë nga ish-menaxheri i saj, pas 12 vitesh së bashku, dhe duke mos pasur fëmijë, ishte shumë e lidhur me familjen e të vëllait. Michael e pa për herë të fundit tri javë para se të vdiste. Familja kishte organizuar një darkë të madhe për të festuar 60-vjetorin e martesës së prindërve në një restorant në Beverly Hills. Michael kishte ardhur së bashku me fëmijët. "Mu duk mirë, edhe pse paksa i hequr, por çuditërisht hëngri dhe u kënaq shumë gjatë gjithë mbrëmjes. Në fund të saj më rroku në krahë dhe më tha: Duhet ta përsërisim më shpesh këtë darkë. Pastaj u largua". Për motrën më të afërt të yllit të popit, javët që kanë pasuar vdekjen e tij kanë qenë të jashtëzakonshme, shumë të lodhshme dhe të ndërthurura me dhimbje dhe dëshirë për të nxjerrë të vërtetën në dritë. "Kur mora vesh lajmin, renda si e çmendur në spital. Në çastin që mora telefonatën, ndodhesha në shtëpi dhe po bisedoja me një mikeshë për vdekjen e aktores së famshme Farrah Fawcett. Mikesha më tha se sipas zakonit kalifornian, një vdekje e rëndësishme nuk mbetet kurrë e vetme dhe se shumë shpejt dikush tjetër nga zotërit e Beverly Hills-it do të vdiste. Gjysmë ore më vonë im atë më telefon për të më dhënë lajmin se Michael kishte ndërruar jetë dhe më urdhëroi që të nisesha menjëherë për në spital". Por për La Toya-n detyra më e vështirë ishte që të informonte fëmijët mbi vdekjen e të atit. "Ata më kërkonin vazhdimisht që të shihnin për herë të fundit babain e tyre. Para se ta bëja një gjë të tillë, më duhej ta rregulloja Michael-in. Ai qëndronte i shtrirë dhe ende i ngrohtë në shtratin e spitalit, me fytyrën mbuluar nga një peshqir i bardhë. Pasi ia ndreqa flokët, futa fëmijët. Ata iu sulën dhe e puthën, duke i thënë mes lotësh fjalë dashurie. Mbaj mend se gjoksi i hapur ishte fare i kuq nga tentativat e dështuara që ishin bërë deri në fund për ta risjellë në jetë. Ai nuk kishte grim dhe fytyra e qetë dukej më në fund e vërtetë, jo e shfytyruar nga bojërat e ngjyrat. "Pas 30 minutash me të vëllanë, La Toya nënshkroi certifikatën e vdekjes. Ajo ishte zgjedhur të përfaqësonte familjen në një akt të tillë për shkak të lidhjes së veçantë me Michael-in. Për motrën, sjellja e mjekut personal që merrte një pagë prej 150 mijë dollarësh në muaj, është shumë e dyshimtë. Ai nuk kishte diplomë kardiologu, nuk i është prezantuar kurrë familjes dhe menjëherë pas vdekjes iu shmang të gjitha takimeve me pjesëtarët e familjes. Sipas disa burimeve, Michael kishte përdorur gjumëvënës përmes injeksioneve intravenoze, pasi vuante shumë nga pagjumësia. Zakonisht ai pinte edhe Demerol e Diprivan që përdoren në sallat e operacioneve. Ajo çka La Toya ka ndërmend që të bëjë, është të krahasojë rezultatet e të dyja autopsive, asaj zyrtare dhe autopsisë së bërë me urdhër të saj në mënyrë private. Për momentin, edhe pse e ka përgjigjen e autopsisë së saj, thotë se nuk ka ndryshuar mendim në lidhje me bindjen që i vëllai është vrarë. Sipas një shërbyeseje që punonte në shtëpinë e të ndjerit, ai për herë të fundit kishte shkuar në dhomën e mjekut. Të dy kishin folur gjatë e më pas ishte marrë vesh lajmi i vdekjes që e bëri të ditur vetë doktori. Ai doli nëpër shkallë duke bërtitur dhe duke i kërkuar truprojës që të lajmëronte menjëherë. Sipas shërbyeses, trupi i Michael duhet të ishte në dhomën e mjekut, por kur kishin shkuar për ta parë, ai ishte në shtratin e tij dhe mjeku nuk dha asnjë sqarim. "Po bëj ç‘është e mundur të zbuloj se si vdiq im vëlla. Nëse vdiq nga një mbidozë droge, atëherë dua të zbuloj kush e furnizonte me drogë dhe kush ia ofroi për herë të parë. Michael nuk duhet të kishte ikur kaq shpejt dhe jam e bindur që kishte ende shumë për të dhënë. Por unë do t‘i shkoj të vërtetës deri në fund".