Shpërthen depozita e karburantit, tre të plagosur
Zjarri ka mbajtur nën panik banorët e zonës, pasi fare pranë vatrës ndodheshin pesë depozita gazi që mund të shkaktonin tragjedi në rast të një shpërthimi të mundshëm
Tiranë Një zjarri i fuqishëm ka mbajtur në panik për gati dy orë banorët e zonës së Kasharit, ndërsa policia ka qenë në gatishmëri maksimale derisa zjarri është vënë nën kontroll nga shërbimet e zjarrfikëses. Zjarri me përmasa të mëdha ka rrezikuar gjatë gjithë kohës të paktën pesë depozita gazi që ndodheshin fare pranë vendit ku flakët përfshinë fillimisht disa zyra. Si pasojë e flakëve dhe shpërthimit të një depozite të vogël gazi janë plagosur tre persona, të cilët ishin roje të objektit dhe depozitave të mëdha të gazit që ndodhen fare pranë vendit të përfshirë nga flakët. Sipas banorëve të zonës, fillimisht është dëgjuar një shpërthim dhe më pas janë parë flakët e zjarrit, të cilat përfshinë disa zyra dhe një magazinë, por fatmirësisht pa prekur depozitat e gazit, të cilat mund të kishin shkaktuar një tragjedi të vërtetë. Sipas policisë, zjarri është shënuar rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Kasharit. Në zonën e përfshirë, nga fakt ndodhen një sërë biznesesh të rëndësishme por edhe shtëpitë e banimit të një pjese të fshatit Kashar. Fillimisht zjarri ka përfshirë një depozitë të vogël gazi, shpërthimi i të cilit ka vënë në gjendje alarmi banorët, të cilët për disa minuta kanë braktisur shtëpitë e tyre. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe zjarrfikëse, ndërsa u krijua edhe perimetri i zonës së rrezikut. Gjithashtu janë njoftuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, të cilët kanë qenë në gjendje gatishmërie për çdo situatë. Në ndihmë të të plagosurve ka qenë edhe një mjek i urgjencës, i cili ka parë tre të dëmtuarit para se të dërgoheshin në spital. Mjeku i urgjencës konfirmoi se gjendja shëndetësore e të plagosurve nuk ka qenë e rëndë dhe asnjë prej tyre nuk rrezikon jetën. “Djegiet janë shkaktuar kryesisht nga flakët që përfshinë një magazinë poliesteroli. Gjendja shëndetësore e të dëmtuarve nuk paraqitet shqetësuese”, - tha mjeku i urgjencës. Pas më shumë se një orë e gjysmë, shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur vënien e zjarrit nën kontroll, duke shmangur kështu një tragjedi të mundshme për shkak të pesë depozitave të gazit që ndodheshin fare pranë vendit të përfshirë nga flakët. Me shuarjen e zjarrit edhe banorët e zonës u kthyen në banesat e tyre, ndërsa ekspertët nën drejtimin e një prokurori kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit.