Lacio: “Jo” ofertës së Bajernit Mynihut për Valon Behramin

Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito i thotë "jo" Bajernit të Mynihut. Valon Behrami nuk ështw në shitje, madje është i blinduar, si një nga talentet ku do të vazhdojë ndërtimi i skuadrës së re për të ardhmen. Nga Bavaria kanë ardhur vetëm sinjale, por jo kërkesë për klubin italian të Romës. Megjithatë intrigat e merkatos kërkojnë që të jesh i vëmendshëm. Lacio kërkon të bëjë të qartë se nuk do të ketë asnjë negocim për mesfushorin kosovar me pasaportë zviceriane. Qëndrimi i Lotitos është i prerë: "Nuk preket, nuk është në shitje". Lacio ka investuar 6.5 milion euro për mesfushorin shqiptar. Në verën e vitit të kaluar siguroi me Xhenovën, bashkëpronësinë e kartelës së Behramit. Dhe në merkaton e dimrit të këtij viti finalizoi operacionin për të evituar cdo ndërlikim lidhur me të ardhmen e mesfushorit shqiptar, në merkaton e kësaj vere. Sezoni i parë në Serinw A ishte pozitiv për Behramin, që arriti të sigurojë dhe një vend në skuadrën e Zvicrës në Botërorin e Gjermanisë. Por dëmtimi nuk e lejoi që të luante në kupën e botës. Por gjatë përgatitjes për sezonin e ri, Behrami ka treguar gjendje të mirw dhe tekniku Rosi beson se ai mund të jetë një nga më të spikaturit te Lacio, për sezonin e ri.