Lacio, dëmtimet favorizojnë Taren

Kësaj here edhe fati është në krah të Igli Tares. Sulmuesi shqiptar i Lacios, me shumë mundësi, këtë fundjavë do të rikthehet titullar për bardhekaltrit në takimin kundër Torinos. Kapiteni kuqezi, që këtë sezon pjesën më të madhe të ndeshjeve e ka ndjekur nga stoli dhe tribuna, është një nga dy sulmuesit e vetëm që trajneri Delio Rosi ka në dispozicion për sfidën me torinezët. Kjo pasi nigeriani Makinua është prej dy javësh i dëmtuar, ndërsa partneri i përhershëm i Tomazo Rokit në repartin e avancuar, maqedonasi Goran Pandev, u dëmtua në miqësoren e djeshme që Lacio zhvilloi ndaj diletantëve të Granada Matarreze. Në këtë takim Tare u aktivizua në pjesën e dytë dhe shënoi njërin prej golave në fitoren 8-0 të romanëve.
Këtë sezon, shtatlarti është aktivizuar vetëm në nëntë takime (vetëm një herë nga minuta 1') dhe nuk ka arritur ende të gjejë golin e parë, që do ta kërkojë ndaj Torinos, ndaj së cilës ka shënuar një dygolësh në sezonin 2004/2005 kur luante për Breshian (fitore e lombardëve 2-0 në "Delle Alpi" me gola të shqiptarit).