Trajneri Miha i propozon FSHF-së mbrojtesin Nuri Mustafi

Tetovë - Skuadra e Shkëndijës pas kthimit nga Struga të hënën i ka filluar stërvitjet, edhe atë në stadiumin e fshatit Recicë. Kryetrajneri Edmond Miha u shpreh se skuadra e tij të hënën dhe të martën do të zhvillojë nga një seancë stërvitore. "Do t'i zhvillojmë stërvitjet në fshatin Recicë, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim do të vendosim se ku do t'i vazhdojmë stërvitjet. Ka mundësi që të kalojmë në fushën sportive te ‘Ramstor', ku ka kushte të mira", tha ai. Në anën tjetër, Edmond Miha ka theksuar se do t'i dërgojë Federatës së Futbollit të Shqipërisë të gjitha karakteristikat e mbrojtësit të Shkëndijës, Nuri Mustafi. "Unë do t'i dërgoj të martën në sektorin e sportit pranë FSHF-së të gjitha karakteristikat e Nuri Mustafit, për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Ndërsa më pas do të mbetet puna e vet futbollistit dhe e seleksionuesit Oto Baric që të vendos për përfshirjen e tij në kombëtaren shqiptare", vijoi Miha. Ndërkohë sekretari Vloran Bexheti u shpreh se përvec stërvitjeve të cilat do të rrjedhin ne Recicë, ata planifikojnë të luajnë edhe ndonjë ndeshje miqësore. Si kundërshtar i mundshëm i kuqezinjve mund të jetë skuadra e Teteksit.
Vullnet Dauti