Mustafi dhe Memedi: "Për kombëtaren, me gjithë qejf"

Tetovë – Dy futbollistët tetovar, Nuri Mustafi i Shkëndijës dhe Agron Memedi i Renovës janë shprehur të gatshëm të veshin fanellën e kombëtares shqiptare, në rast se ftohen nga drejtuesit e përfaqësueses kuqezi. Ata thonë se pa hamendje do t'i mbronin ngjyrat e Shqipërisë, pasi seleksionuesit slloven Katanec nuk i kujtohet që edhe lojtarëve shqiptarë tu bëhet ftesë. "Deri sa nuk iu kujtua askujt nga ana Federatës të më ftoj në reprezentacionin e Maqedonisë, atëherë unë me gjithë
qejf do të kisha pranuar që të luajë për kombëtaren shqiptare. Unë tani do të kalojë në Finlandë dhe do të jem në një klub finlandez, luajtja jashtë vendit më jep mundësi për të qenë pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Shpresoj se në një të ardhme të afërt do t'ia arrijë qëllimit", tha Mustafi.
Selektori Katanec në përballjen me kombëtaren e Shqipërisë, angazhoi vetëm një futbollist shqiptar, Artim Pollozhani, ndërsa shumë futbollistë tjerë shqiptarë ishin të pakënaqur me vendimi e tij. Agron Memedi, mesfushori i skuadrës së Renovës, thotë se me gjithë qejf do të kishte pranuar të luaj në kombëtaren shqiptare. "Deri më tash jemi anashkaluar jo vetëm unë, por edhe bashkëlojtarët e mi si Vullnet Emini dhe të tjerë, duke mos u ftuar në reprezentacionin e Maqedonisë. Në rast se më jepet mundësia për të qenë në kombëtaren shqiptare, atëherë do të kisha ‘fluturuar' nga gëzimi", tha Memedi.
Vullnet Dauti