E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëreshat e Egjiptit dalin nga hijet e faraonëve

Kush e njeh Karomamën, Henhenetin, Neferuptahun, Nefertarin, zotëronjëse të luginës së Nilit? Historianët janë përqendruar në vijën e gjatë të vazhdimësisë së faraonëve, duke lënë pas dore shoqet e tyre, anën femërore të mbretërisë, konstaton Kristiane Ziegler, drejtuese e ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur në “Grimaldi Forum” deri më 10 shtator

Mbretëreshat e Egjiptit dalin nga hijet e faraonëve

Mbretëreshat e Egjiptit dalin nga hijet e faraonëve për një ekspozitë që hapet këtë fundjavë në Monako, e parakushtuar jetës së këtyre bashkëshorteve, nënave ose bijave të mbretërve të Egjiptit të lashtë. Kush e njeh Karomamën, Henhenetin, Neferuptahun, Nefertarin, zotëronjëse të luginës së Nilit? Historianët janë përqendruar në vijën e gjatë të vazhdimësisë së faraonëve, duke lënë pas dore shoqet e tyre, anën femërore të mbretërisë, konstaton Kristiane Ziegler, drejtuese e ekspozitës e cila do të qëndrojë e hapur në Grimaldi Forum deri më 10 shtator.

Ky është një kthim tek burimi, për atë që drejtoi deri në maj të vitit 2007 departamentin e antikiteteve egjiptiane në muzeun e Luvrit dhe debutoi në studimet e veta të egjiptologjisë me një kujtesë për mbretëreshën Tiy, bashkëshorte e Amenothepit III: "Bibliografia atëherë pothuaj nuk ekzistonte dhe e njëjta gjë ndodhte dhe për pjesën më të madhe të mbretëreshave. Librat mbi to filluan të dalin këto vitet e fundit dhe kjo ekspozitë është e para që i kushtohet kësaj çështjeje", - shpjegon ajo.

Si ishte jeta e grave në oborrin e faraonëve? Ç'vend zinin nënat, bashkëshortet, bijat? A luanin ato një rol shtëpiak, politik, apo fetar? Një rrugëtim tematik me 12 stacione e njeh vizitorin me këto anë të ndryshme.

Ai mbështetet në rreth 250 objekte që janë marrë hua nga muzeume të njohura nga 15 vende të botës: muzeu egjiptian i Berlinit, muzetë mbretërore të Belgjikës, muzeu egjiptian i Kajros, Metropolitan Muzeum i Nju Jorkut, Luvri, në Paris ose British Muzeum në Londër.

Sugjestive, por pa rënë në estetikën e vjetruar të tunikës femërore, skenografia e shëtit publikun nga një varr i gërmuar në mal, tek feluka (një lloj varke) që zbret rrjedhës së Nilit, duke kaluar përmes mjediseve të brendshme të pallateve.

Pjesa e fantazmës dhe e mitit që ringjallin mbretëreshat egjiptiane gjen vendin e vet në këtë ekspozitë, e cila hapet me një sallë kushtuar figurës së Kleopatrës dhe mbyllet me një evokim të mbretëreshës Taousert, varri i së cilës, i gjetur në Luginën e Mbretërve, frymëzoi shkrimtarin Theofil Gotie për veprën e tij "Romani i mumies". Ndërmjet këtyre dy piketave legjendare shfaqen të gjitha pamjet e panjohura të sundimtareve: autoriteti i "bashkëshorteve të larta mbretërore" nënë e princit trashëgimtar, konkubina dhe gra të dyta, të grumbulluara në harem. Shumë ndryshe nga ç'mund të mendohej si një vend izolimi, haremi ishte një hapësirë ku jetonin në liri, me familjen e tyre dhe një ushtri me shërbëtorë, kujdestarë, mësues, parukierë, muzikantë, dhe po ashtu një qendër ekonomike ku endej liri, punohej druri, fildishi, fajanca.

Ekspozita zbulon edhe martesat e shumta "diplomatike" të faraonëve me princesha të huaja për të forcuar aleancat me fqinjët e fuqishëm, siç dëshmon dhe një objekt argjendarie ku janë shënuar emrat sirianë të tri bashkëshorteve të rangut të dytë të Thutmosis III.

Edhe nëse nuk luanin sistematikisht një rol kryesor politik, mbretëreshat ishin të ngarkuara me detyrën që të shfrytëzonin hiret e tyre për të pajtuar zotat. Shumë skena i tregojnë ato duke tundur sistra (instrument muzikor kulti në Egjiptin e lashtë) stringla e gjerdhanë, për të joshur veshët hyjnorë.

Vetëm për një gjë ndjen keqardhje Kristiane Ziegler: për numrin e pakët të dëshmive rreth jetës intime të princeshave, shpesh të fiksuara në një përfaqësim institucional, bukuri të përkryera dhe gjithnjë plot mistere.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›