E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, 37 vjet burg për drogën e trafikuar me makinë diplomatike



Ilir Ajazi, i penduari që zbardhi trafikun e drogës me Greqinë

55-vjeçari pranoi dërgimin e heroinës me makinën e ambasadës

Kalonin drogë me makinë diplomatike, duke mos u hyrë “gjemb në këmbë”, pasi njëri nga korrierët, i cili më pas fitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ishte shofer në një nga ambasadat e akredituara në vendin tonë. Falë këtyre lehtësirave, por edhe fitimit për çdo ngarkesë të kaluar në vendin fqinj të Greqisë, Ilir Ajazi përfitonte një shumë të caktuar eurosh. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli dje fajtorë dhe dënoi me 37 vjet burg katër të pandehurit Krenar Sako, Ilir Elezi, Valter Janaqi dhe Ilir Ajazi, pasi në ngarkim të tyre rëndon akuza e “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Gjatë arsyetimit të vendimit përfundimtar, kryesuesi i togave të zeza, Dritan Hallunaj, pasi paraqiti rrethanat, provat dhe dëshmitë e marra parasysh gjatë hetimit gjyqësor, si dhe deklaratën ndihmëse të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ilir Ajazi, vendosi dënimin e tyre, respektivisht 12 vjet burg për Krenar Sakon, 10 vjet burg për Ilir Elezin nga 12 që kërkoi një seancë më parë prokurori i çështjes, 9 vjet burg për Valter Janaqin dhe 6 vjet burg për shoferin e gruas së ambasadorit grek, Ilir Ajazin. Sipas arsyetimit të vendimit, Elezi në bashkëpunim me Valter Janaqin dhe Ilir Ajazin, kryente trafikun e lëndëve narkotike me destinacion Greqinë. Pas hetimeve të policisë, rezultoi se ishte Ilia (Ilir) Elezi ai që siguronte lëndët narkotike në Shqipëri, ndërsa Ilir Ajazi bënte transportin dhe shoku i tyre, Valter Janaqi, e priste në Greqi. Taksisti i penduar për trafikun e drogës drejt Greqisë dhe ish-shofer në Ambasadën Greke disa vite më parë, njëkohësisht edhe përfitues si bashkëpunëtor i drejtësisë, ka rrëfyer para togave të zeza se si kryente transportin dhe se sa paguhej nga të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje. Madje, në një rast, Ilir Ajazi, 55 vjeç, ka pranuar se ka kryer dërgimin e “pakos” me makinën e ambasadës dhe më pas me mjet privat. “Futja në këtë rrjet erdhi pas ofertave që m’u bënë nga i pandehuri Krenar Sako, ndërsa i kisha refuzuar disa herë”, - është shprehur i pandehuri 55-vjeçar gjatë dëshmisë së tij. “Ka qenë viti 1992 kur jam njohur rastësisht me Sakon, me të cilin edhe kam pirë disa kafe në një lokal përpara Gjykatës së Tiranës”, - tha Ajazi në rrëfimin e tij. Ndërsa ka pasur dijeni për aktivitetin e të pandehurit tjetër të çështjes, ish-shoferi i ambasadës ka thënë se në vitin 1999 i ka ardhur oferta e parë për bashkëpunim. “Më kërkoi ta çoja unë, por refuzova”, - u shpreh para trupit gjykues Ajazi. Vetëm në ofertën e tretë, ai është dorëzuar, duke pranuar të bënte korrierin e 2 kg heroinë. “Nuk e dija llojin, por ishte në katër pako dhe e kam futur në airbag-un e pasagjerit, që ishte i prishur”, - rrëfeu i penduari i dosjes. Në këtë mënyre, ai është bërë pjesë e grupit, duke kërkuar disa herë edhe vetë punë gjatë rrugëve që kishte për në vendin fqinj. Ajazi ka folur edhe për ndihmën që u jepte personave të ndryshëm gjatë kohës që punonte si shofer i konsullit në Ambasadën Greke, para se të arrestohej.

Somario

“Futja në këtë rrjet erdhi pas ofertave që m’u bënë nga i pandehuri Krenar Sako, ndërsa i kisha refuzuar disa herë”, - është shprehur i pandehuri 55-vjeçar, gjatë dëshmisë së tij

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Krenar Sako, 12 vjet burg

Ilir Elezi, 10 vjet burg

Valter Janaqi, 9 vjet burg

Ilir Ajazi, 6 vjet burg

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›