Laj e shpërlaj

Në dhjetë vitet e shkuara mafia kosovare ka larë e shpërlarë para, pa pasur drojë të madhe nga Policia e Kosovës. Me gjithë vullnetin e policëve, në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ligj që ua ka bërë jetën e vështirë kriminelëve. Rrallëherë iu është konfiskuar dikujt pasuria që e ka krijuar me faqe të zezë.
Por, shumë shpejt kjo do të jetë e mundshme. Një ligj i tillë tashmë është dërguar nga Qeveria e Kosovës për procedim në Kuvendin e Kosovës. Tash i mbetet Kryesisë së Kuvendit të vendosë se kur do ta fusë në diskutim e më pas edhe për miratim.
Ligji i jep mundësi Policisë së Kosovës me vendim të gjykatës të konfiskojë pasuritë që janë bërë në mënyrë të paligjshme. Sipas këtij ligji, pasuritë e kriminelëve mund të konfiskohen, pa kompromis, edhe nëse ato janë transferuar te një person tjetër.
Miratimi dhe implementimi i këtij ligji është edhe njëri ndër kushtet bazë për liberalizimin e vizave. Shqipëria më 24 janar të këtij viti ka miratuar ligjin anti-mafi.
“Konfiskimi i të ardhurave kriminale duhet të bazohet në vendim gjyqësor, i cili përcakton se është kryer një vepër penale. Brenda BE-së, shtetet anëtare mund të kërkojnë ngrirje dhe konfiskim të pronës së lidhur me kryerjen e një vepre në cilindo shtet anëtar të BE-së”, thuhet në njërën nga kriteret që ka përcaktuar BE-ja për Kosovën.
Këshilli i Evropës ka miratuar dy konventa mbi konfiskimin e pasurive të kriminelëve. Në bazë të tyre, shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar ligjin për këtë çështje. Në shumë vende, ligji është edhe më i rreptë sesa vetë konventat.
Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se në mbledhjen e fundit të Qeverisë projektligji është miratuar dhe është proceduar në parlament. Ndërsa, Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme thotë se ky ligj do të jetë bazë për krijimin e një agjencie, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e aseteve të konfiskuara.
“Me hartimin e këtij ligji, Policia e Kosovës do ta ketë shumë më të lehtë të luftojë krimin e organizuar, grupet të strukturuara kriminele dhe Policia do të ketë bazë ligjore që të konfiskojë asetet”, shton ai.
Ndërkohë, Ibrahim Makolli, shef i Grupit parlamentar të AKR-së, thotë se pa ligjin për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme, është shumë e vështirë të luftohet korrupsioni.
“Natyrisht, ne do të kërkojmë që të kompletohet infrastruktura ligjore, ngase unë jam i vetëdijshëm që veç një ligj nuk i zgjidh problemet”, vlerëson ai.
Edhe Lulzim Zeneli, shef i Grupit parlamentar të LDD-së, thotë se Kosova duhet ta përmbyllë pakon e ligjeve që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Një ligj i tillë anti-mafi është i domosdoshëm edhe në Kosovë. Kosova po shndërrohet në një vend të pastrimit të parave. Kosova duhet t’i zbatojë praktikat që tashmë janë të njohura. Duhet të demonstrojmë në praktikë se jemi të gatshëm të luftojmë kundër krimit të organizuar”, thekson ai.
Ndërkaq, Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, thotë se Kosova ka mungesë të strategjive, veprimit dhe ligjeve për të luftuar krimin e organizuar.
“Ka mungesë edhe të vullnetit politik. Nuk ka iniciativa për të bërë kornizën ligjore të përshtatshme. Në Parlamentin e Kosovës nuk ka komision parlamentar për kornizën ligjore kundër krimit të organizuar, korrupsionit që ka në shumë vende të rajonit dhe botës”, shton ai.
Në bazë të ligjit të ri, i akuzuari duhet të tregojë vetë për burimin e të ardhurave, në të kundërtën, do t’i sekuestrohet pasuria.
Po kështu, ligji lejon autoritetet e sigurisë t’u jepet kompetencë për të pasur qasje të çdo person, kur niveli i të ardhurave të tij nuk justifikon shpenzimet e shumta, llogaritë bankare apo standardet e një jetese luksoze.
Ligji anti-mafi në Shqipëri që nga 24 janari
Ligji sipas të cilit pasuritë që dyshohet se janë vënë në mënyrë jo të ligjshme sekuestrohen, është miratuar tashmë në Shqipëri. Ligji i miratuar vetëm me votat e maxhorancës së djathtë është kundërshtuar nga opozita e majtë. Çdo pasuri mbi të cilat organet kompetente kanë dyshime se janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme, do të sekuestrohen, ndërsa poseduesi duhet ta provojë në gjykatë prejardhjen e saj. Ky është në thelb ligji i cilësuar si antimafia, i cili që prej 24 janarit ka hyrë në fuqi në Shqipëri.