Hiqet portreti i Topit nga Kuvendi
Komisionet
Parlamenti i Shqipërisë heq nga zyrat dhe sallat e Komisioneve të Përhershme portretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Që në muajt e fundit të vitit të shkuar, fotoja e kreut të shtetit shqiptar, e cila ka qenë e varur në murin ballor të sallave të komisioneve është larguar nga administrata, që padyshim ka vepruar me një urdhër qoftë verbal, apo me shkrim. Por asnjë nga zyrtarët e Kuvendit nuk bën të ditur se ekziston një urdhër i tillë. Portreti i Presidentit të Republikës, jo më larg se në shtator të vitit 2009, në sallën e Komisionit të Përhershëm Parlamentar të Ligjeve, por që nga dhjetori, nuk ndodhet më në vendin e tij. Gjithashtu, edhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe çështjeve Sociale, portreti i Presidentit është hequr nga fundi i 2009-ës. E njëjta gjë mund të thuhet si për Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Medias, ashtu edhe për atë të Veprimtarisë Prodhuese. Në të gjitha këto komisione, përpara shtatorit të vitit të shkuar kanë qenë të varura fotot e kreut të shtetit. Në fakt kjo është një praktikë e detyrueshme për të gjitha zyrat e shtetit, ku respektohet institucioni që sipas Kushtetutës përbën “unitetin e popullit” dhe numrin një të shtetit shqiptar. Por në një reagim të sajin, zyra e shtypit të Kuvendit thekson se në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka qenë traditë vendosja e portreteve të Presidentëve të Republikës në sallat e Parlamentit. Madje kjo nuk përdoret në asnjë prej parlamenteve të botës demokratike”.
#