PS: Koalicion paszgjedhor me ato forca që kanë moralin tonë
Sekretari socialist për zgjedhjet, ka propozuar dje një sërë masash plus, për pajisjen me karta
Partia Socialiste është e vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për t'i fituar ato, pavarësisht vështirësive që mund të krijojë mazhoranca qeverisëse, për sa i përket infrastrukturës zgjedhore.
Deklarata është bërë nga sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, i cili ka hedhur poshtë dje çdo hamendje të kundërshtarëve politikë për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve të qershorit.
Në një dalje për mediat, ai ka bërë të ditur se vështirësitë e hasura deri më tani në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, nuk do të mund të detyrojnë socialistët që të bojkotojnë zgjedhjet, duke e bërë të qartë nga ana tjetër, se të gjitha këto tentativa do të dështojnë, ashtu si edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007.
"PS-ja, qartazi deklaron se nuk bojkoton zgjedhjet, por do të marrë pjesë e do t'i fitojë ato. Ju kujtoj me këtë rast vetëm lojën e PD-së në Tiranë me certifikatat, sesi përfundoi në shkurt 2007", - tha Islami.
Gjithashtu, ai ka mohuar të gjithë zërat që ekzistojnë në lidhje me një kërkesë të mundshme të socialistëve për të shtyrë zgjedhjet e 28 qershorit, duke garantuar se PS-ja ka hartuar tashmë një strategji të posaçme, për të mos lejuar asnjë tentativë për manipulimin e zgjedhjeve nga ana e qeverisë, nëpërmjet kartave të identitetit.
"PS-ja nuk ka kërkuar dhe nuk dëshiron që zgjedhjet të shtyhen asnjë ditë nga 28 qershori, dhe ka ngulur këmbë edhe në ndryshimet kushtetuese dhe në ndryshimet në kod, që zgjedhjet të zhvillohen brenda qershorit dhe ka qenë PD-ja që ka synuar ndryshe.
Kemi një strategji të qartë që zgjedhjet t'i fitojmë, duke bërë çdo ditë atë që duhet bërë, që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Do të shikoni çdo ditë angazhimin dhe veprimin tonë për të çmontuar të keqen dhe garantuar zgjedhje të lira e të ndershme", - tha më tej Islami.
E, në këtë kuadër, në mungesë të një përgjigjeje pozitive për projektligjin e paraqitur për t'i dhënë kartat falas, selia rozë ka paraqitur dje një sërë propozimesh shtesë, për të bërë të munduar që të realizohet qëllimi për të pajisur të gjithë qytetarët që s'kanë një pasaportë, me kartën elektronike.
Islami i është i përgjigjur dhe interesit të medias lidhur me koalicionet paszgjedhore, duke evidentuar edhe njëherë në mënyrë të qartë, qëndrimin se socialistët do të realizojnë një koalicion të gjerë qytetar parazgjedhor dhe se do të bashkëpunojë pas zgjedhjeve me të gjitha ato forca që ndajnë të njëjtin moral me ta.